Borxhi publik ra në 2022, shkak normat e larta të interesit

Për shkak të pasigurisë së lartë për rritje të normave të interesit në tregje, shkaktuar nga zhvillimet e konfliktit Rusi-Ukrainë, gjatë vitit 2022 ka pasur një një kërkesë më të ulët për letrat me vlerë në tregun e brendshëm në Shqipëri.

Gjatë raportit për borxhin publik për vitin e shkuar, huamarrja në terma bruto u realizua në vlerën 386.1 miliard Lekë, nga të cilat 92.7% u financuan nëpërmjet burimeve të brendshme dhe 7.3%  të huaja.

Në tregun e brendshëm huamarrja bruto rezultoi në vlerën prej 357.9 miliard lekë dhe krahasuar me vitin e kaluar, u ul me 107.8 miliardë lekë.

Tendeca në ulje thuhet se ka qenë për shkak se nuk u emetua Eurobond, niveli i mbështetjes buxhetore ishte më e ulët se vitin e kaluar dhe gjithashtu vlera e kredive të disbursuara për financimin e projekteve është më e ulët se në vitin 2021.

Për sa i përket raporteve të kostos dhe riskut në portofolin e borxhit, pavarësisht se viti 2022 u ndikua nga zhvillime jo të favorshme në tregjet financiare, portofoli i borxhit të brendshëm është arritur të menaxhohet duke mbajtur në nivele të qendrueshme raportet e riskut.

Krahasuar me vitin 2021, shpenzimet për interesa vlerësohen rreth 3.8 miliard Lekë më të larta, kryesisht si rezultat i rritjes së stokut të borxhit në vlerë nominale si dhe rritjes së normave të interesit.