“Për 3-mujorin e parë të 2023 rritja ekonomike ishte 2.7%”, Ibrahimaj: Shqetësim mbetet forcimi i lekut ndaj euros

Rritja ekonomike ishte 2.72% në tremujorin e parë të vitit. Kështu bëri me dije ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat. Në 5 muajt e parë të vitit 2023 inflacioni 5.8%, tha ministrja peshën më të madhe e kanë ushqimet. 

Rritja u nxit kryesisht nga aktivitetet e pasurisë së paluajtshme dhe ndërtimi, ndjekur nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve.

"Për tre mujorin e parë të vitit 2023,  rritja ekonomike në vend ishte me 2.72%. Ishte një rritje mesatare. Rezultoi që rritja 2.7% ishte me e lartë se Maqedonia e Veriut e se Serbia. Mesatarja e rritjes së vendeve të BE-së ishte 1%."- tha ministrja, Delina Ibrahimaj.

Ministrja u shpreh se ka pasur një ecuri mjaft pozitive në sektorin e turizmit për vitin 2023.

"Të dhënat e turizmit, ka pasur një rritje me 7.2%. sa i takon 5 mujorit tregon për një ecuri mjaft pozitive për vitin 2023. Ka qenë me performancën më të lartë historike. Në 5 mujorin e parë numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është rritur me 42%, rreth 700 mijë më shumë se vitin e kaluar. Turizmi ka filluar të jetë një dukuri e shpërndarë gjatë gjithë vitit. Presim që turizmi të vijojë që të ketë një performancë pozitivë."- tha ministrja.