BE miraton planet për të reduktuar varësinë ekonomike nga Kina
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian miratuan sot planet për të vazhduar tregtinë me Kinën, por duke reduktuar varësinë ekonomike të bllokut nga Pekini, gjatë një samiti në Bruksel.
BE-ja po bën ndryshime në marrëdhëniet ekonomike me Kinën, ndërsa blloku vazhdon të ketë dyshime për besueshmërinë e Pekinit si partner në kuadër të sistemit politik autoritar në rritje të vendit.
Kina është kritikuar ashpër për shkelje të të drejtave të njeriut dhe dështimin e deritanishëm për t’u distancuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
Udhëheqësit e BE-së i bënë thirrje sërish Kinës që të përdorë ndikimin e saj në Rusi, për t’i dhënë fund konfliktit.
Roli i rëndësishëm i Kinës në trajtimin e ndryshimeve klimatike u njoh edhe në deklaratën e liderëve të BE-së.
Ekonomikisht, BE-ja aktualisht është e varur nga Kina për disa lëndë të para, bateri dhe substanca të përdorura në mallrat farmaceutike.
