Liderët e BE-së nuk arrijnë konsensusin për politikën e azilit
Liderët e Bashkimit Evropian nuk arritën një konsensus mbi politikën evropiane të azilit gjatë një samiti sot në Bruksel, thanë diplomatët e BE-së.
Njëzet e shtatë vendet anëtare të bllokut ishin në mosmarrëveshje, pasi Polonia dhe Hungaria kundërshtuan planet që synonin shpërndarjen e migrantëve në Bashkimin Evropian në mënyrë më të drejtë, duke çuar kështu në dështimin e përpjekjeve te liderëve të BE-së për të bërë progres në këtë çështje.
Në këto kushte u paraqit një deklaratë e përbashkët mbi migracionin, të cilën liderët nuk arritën ta miratonin njëzëri.
Draft-deklarata nuk i referohet në mënyrë eksplicite planeve të reformës, por shpreh dhimbjen për humbjen e jetëve në Mesdhe dhe bën një bilanc të politikave të bllokut për migracionin në përgjithësi.
Refuzimi i deklaratës nga Polonia dhe Hungaria, për të cilën të 27 vendet e BE-së duhet të bien dakord, shkaktoi zhgënjim mes liderëve të tjerë.
“Deklarata do të publikohet vetëm në emër të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, sipas diplomatëve të BE-së.
