Arben Ahmetaj gati 6 orë në SPAK, iu përgjigj prokurorëve mbi procedurat e incineratorëve
Për më shumë se 5 orë e gjysmë, Arben Ahmetaj i është përgjigjur prokurorëve mbi procedurat e miratimit të koncesioneve të incineratorëve. Ndaj tij janë ngritur tashmë katër akuza, por për mediat u shpreh se sqaroi pozicionin e tij mbi çështjen
9 muaj pas nisjes së veprimeve hetimore dhe 5 muaj pas procedimit penal në emër të tij për katër vepra penale, Arben Ahmetaj mbërriti për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar I shoqëruar nga avokati Henrik Ligori.
Përballë prokurorëve të çështjes u ul në orën 12 ku qëndroi për 5 orë e 30 minuta I është përgjigjur pyetjeve mbi procedurat e tre koncesioneve të incinerimit të mbetjeve atë të Elbasanit, fierit dhe të Tiranës
Ish zëvendëskryeministri dhe ministër I financave dhe rindërtimit po hetohet nga SPAK për mos deklarim apo fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, korrupsioni pasiv, pastrimi i parave dhe shpërdorimi i detyrës.
Në prill të 2023 dy vila u bllokuan nga prokuroria. Një në Palasë pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave, Albina Mençka, por e regjistruar me emrin e shoqes së saj.
Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj i përket Arjola Hoxhës, bashkëjetueses aktuale të ish-zv. kryeministrit, Ahmetaj.
Për çështjen e incineratorëve SPAK ka mbledhur prova e të dhëna, përfshirë edhe ato nga kompjuterat e sekuestruara dhe të e-maileve, që janë shkëmbyer mes Ahmetajt dhe fituesve të koncesionarit të inceneratorit të Elbasanit. Verifikime janë bërë edhe në sistemin TIMS për të provuar lëvizjet e ish-ministrit, hyrje-daljet e tij
Deri më tani gjyqi ka nisur për incineratorin e fierit dhe Elbasanit, ku janë disa të akuzuar përfshirë aksionerët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, si dhe ish ministri Koka e ish deputeti Bllako.
