Ja klubet që Tare refuzoi për të vazhduar me Lazion por historia mori një drejtim tjetër

Milan, Napoli dhe Eintracht Frankfurt, janë këto tre klubet që drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare ka refuzuar ndër vite për të vazhduar projektin me Lazion ku kishte besimin e pakushtëzuar të presidentit Claudio Lotito që gjatë viteve të fundit e humbi.
“Il Messaggero” në Itali zbulon ofertën që klubi i Eintracht i bëri Tares në vitin 2019, duke i ofruar disa herë më shumë se sa 500 mijë eurot që ai përfitonte në sezon të Lazio dhe për më tepër edhe “çek të bardhë” për merkaton.
Pas këmbënguljes së presidentit Lotito, Tare nuk e pranoi pasi ai i ishte shumë mirënjohës numrit 1 të Lazios për mundësinë që i kishte dhënë vite më parë.
Në një intervistë të përpara disa javëve në gazetën romane, Tare zbuloi se kishte refuzuar edhe ofertat e Milanit apo Napolit ndërsa shton:
“Do të kisha fituar 10 herë më shumë diku tjetër por unë eci në bazë të marrëdhënieve dhe i jam përherë mirënjohës presidentit që ma dha besim në fillim”.
