De Bruyne “kërcënon” Interin: Më mungon vetëm trofeu i Champions League

Mesfushori i Manchester City, Kevin De Bruyne, një nga më të mirët në qarkullim bën një deklaratë të qartë që mund të trembë disi lojtarët dhe stafin e Interit. Rekordmeni i asisteve në kontinent shprehet se është vetëm trofeu i Champions League që mungon në muzeun e tij personal dhe synon që kupën ta fitojë në finalen e 10 qershorit në Stamboll.
Kevin de Bruyne:
“Nuk jemi favoritë sepse finalet janë përherë 50/50 dhe do të jetë shumë e vështirë për ne. Do të kemi momente delikate në fushë gjatë ndeshjes por duhet të bëjmë punën tonë dhe të fitojmë.
Të njëjtën gjë do të kërkojë të bëjë edhe Interi sepse ka ardhur deri në finale me meritë dhe ne duhet ta respektojmë. Champions është një trofe që nuk e kam fituar dhe do të stërvitem sa më mirë që të jap maksimumin. Shpresoj që të luaj në ndeshje të madhe dhe të ndihmoj skuadrën t’ia dalë mbanë.
Nëse mundim Interin do të arrinim tripletën e famshme por ne duhet të përqëndrohemi te ndeshja dhe mes nesh nuk e kemi diskutuar shumë këtë temë. Njerëzit thonë se ne jemi të detyruar ta fitojmë këtë kupë por në të vërtetë ne nuk jemi të detyruar ta bëjmë këtë për të treguar se jemi të fortë, pasi e kemi bërë një gjë të tillë. Unë jam i sigurt se trashëgimia ime në futboll është e qartë dhe nuk mund të ndikohet nga ky 90 minutësh”.
