Kushi: Albanologjia do të ngrihet në një nivel të ri. Akademia e Studimeve Albanologjike ka vite që është kundër ligjit
Qeveria ka marrë sot vendim për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike, duke e kaluar institutet e saj si institucione autonome brenda Akademisë së Shkencave.
Vendimin e bëri të njohur për mediat ministrja e Arsimit, Evis Kushi e cila u shpreh se nga raporti i kontrollit që u bë brenda Akademisë së Studimeve Albanologjike u vërejtën shkelje të shumta.
“Ne sot me vendim të qeverisë po e riorganizojmë këtë Akademi duke i vendosur institutet e saj si institucione autonome pranë Akademisë së Shkencave”, u shpreh ministrja e Arsimit, Evis Kushi në një deklaratë për mediat në përfundim të mbledhjes së qeverisë.
Ministrja Kushi në përfundim të mbledhjes së Qeverisë që u mbajt këtë të mërkurë shpjegoi dhe arsyet e këtij vendimi për ta bashkuar Akademinë e Studimeve Albanologjike me Akademinë e Shkencave.
“Në Akademinë e Studimeve Albanologjike nuk bëhet asnjë mësim dhe dhe nuk shpërndahet asnjë diplomë.
Akademia e Studimeve Albanologjike nuk është e akredituar institucionalisht në institucionet e Arsimit të Lartë, ka shpërndarë pa pasur të drejtë për të shpërndarë diploma.
Ka 8 vite që nuk regjistron asnjë student, në kundërshtim me ligjin që parashikon një afat prej 2 vitesh”, u shpreh ministrja Evis Kushi.
Vendimi i Këshillit të Ministrave erdhi pasi një sërë personalitetesh dhe akademikë e kundërshtuan draftin që qarkullonte prej ditësh në media.
Anëtari i Akademisë së Shkencave, Artan Fuga i shkruajti dje një letër kryeministrit Rama ku rendiste arsyet përse vendimi nuk duhej të miratohej.
Kundër këtij vendimi u shpreh edhe Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike, por që nuk u morën parasysh nga qeveria në mbledhjen e sotme.







