Bien ndërtimet, shtohen lejet/ INSTAT: Përgjysmohen sipërfaqet e dhëna për ngritjen e objekteve
Tre mujori i parë i këtij viti ka nisur me një rritje të lejeve për ndërtim, por me një rënie të fortë të sipërfaqeve që do të mbulohen me beton.
Sipas INSTAT-it, në fillim të vitit 2022 ishin 1 milion metër katror për t’u investuar në këtë sektor, ndërsa në periudhën aktuale shifra është përgjysmuar duke shkuar në 415 mijë.
E përkthyer në vlerë, investimi shkon në 21 miliardë lekë, prej të cilëve paguhen tatimet dhe taksat e tjera.
Por në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar financimi për këtë sektor ishte po dyfish më i lartë deri në 40 miliardë lekë.
Janë thuajse të gjitha bashkitë që kanë shënuar rënie në këtë sektor për gjatë të 12 muajve.
Efekt ky që është pasqyruar edhe në të ardhurat në buxhetet vendore.
I vetmi rast ku bëhet përjashtim është Gjirokastra.
Me vetëm tre leje ndërtimi dhe me sipërfaqe prej 12 mijë metër katror ndërtim do të shpenzohen 250 milion lekë.
Për zonën kjo është një dyfishim shifre krahasuar deri në janar të vitit të shkuar.
Duhet thënë se së fundi të ardhurat nga taksa në infrastrukturë zinte një peshë të konsiderueshme në buxhetet e bashkive.
Madje si sektor në rritje ndikoi edhe në uljen e papunësisë në vend.
Një tjetër ndikim ka dhe dhënia 3 për qind e objekteve për qëllime të strehimit social.
Për këtë të fundit parlamenti do ta mbajë si kusht vetëm për objektet e reja me mbi 2 mijë metër katror.



