Lulzim Basha rikthehet në politikë me tre propozime: Lista të hapura, vetting politikanëve dhe…
Lulzim Basha i është rikthyer politikës, teksa daljen e parë e ka bërë gjatë një takimi me disa të rinj.
Gjatë komunikimit me ta, Basha tha se për të rrëzuar qeverinë dhe për të fituar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare propozon tre pika.
Lista të hapura, vetting i politikanëve dhe kufizimi i mandateve në jo më shumë se dy.
“Ftesa ime sot është mos t’u besojmë qytetarëve por përmes listave të hapura t’u besojmë qytetarëve. Të ndalim së besuari politikanëve dhe të marrim besimin në duart tona si qytetarë. Listat e hapura 100%. Kam edhe dy propozime të tjera.
Keni dëgjuar për akuzat dhe sulmet e përditshme që politikanët hedhin ndaj njëri tjetrit. Duhet vettingu i politikanëve, boll më me sharje nga mëngjesi deri në darkë. Secili që merr përsipër barrën e shërbimit publik duhet të jetë i hapur për hetim të aseteve personale. Vettingu i politikës është emergjencë kombëtare.
Asnjë kryeministër që nuk mund të arrijë premtimet e dhëna në 2 mandate, nuk mund t’i bëjë ata për një mandat të tretë. Pra kufizimi i mandateve është i domosdoshëm. Gjithashtu edhe vota e emigrantëve , rreth 45% e bashkëatdhetarëve tanë nuk ndodhen sot në vend, janë larguar në mënyrë masive por nuk kanë të drejtën të shprehen me votë. Është vendim i GJK-së, duhet zbatuar”- u shpreh Basha.

