Blushi: Betejë dhe përballje pa kompromis deri në triumfin e plotë të demokracisë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se, “konkluzionet e organizatës “Freedom House” konfirmojnë qartësisht qëndrimet koherente të opozitës dhe të Partisë së Lirisë se, Shqipëria prej vitesh ka rrëshkitur drejt një regjimi hibrid dhe një “junte korrupsioni””.
Në një deklaratë për shtyp, Blushi theksoi se, “në Shqipëri reforma në drejtësi ka dështuar. Drejtësia bazë për shumë qytetarë mungon, qasja në të është përkeqësuar dhe ku sipas ekspertëve, “sistemi gjyqësor është në prag të kolapsit””.
Blushi u shpreh se, “sipas “Freedom House”, të gjitha këto probleme “kanë krijuar mosbesim tek drejtësia”. Ndërsa lidhur me hartën e re gjyqësore, ndajmë të njëjtin shqetësim se, “ulja e numrit të gjykatave do të dëmtojë qasjen e qytetarëve në drejtësi dhe do të rrisë koston e procesit gjyqësor pasi disa qytetarëve do të duhet të udhëtojnë mbi 200 kilometra për të arritur në gjykatë”.
Më tej, Blushi u shpreh se, “e mbështesim plotësisht konkluzionin e raportit ku evidentohet se “Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”.
“Shqipëria sipas raportit është nën një regjim, ku krimi i organizuar ka kapur nivelet më të larta shtetërore, ku pandëshkueshmëria është kthyer në sistem dhe SPAK ende nuk ka vullnet për të hetuar seriozisht aferën e inceneratorëve”, tha Blushi.
Blushi u shpreh se, “përsërisim thirrjen drejtuar SPAK për të përshpejtuar hetimet lidhur me këtë mega-aferë korrupsioni, duke shkuar pikërisht “më lart”, aty ku dhe shqiptarët kërkojnë, tek Edi Rama, Ëngjëll Agaçi dhe Erion Veliaj, për të vendosur njëherë e mirë drejtësi dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në vend”.
Me të drejtë “Freedom House”, vijon Blushi, evidenton faktin se në Shqipëri mediet dhe shoqëria civile janë të kapura, duke cituar konkretisht se, “shumica e medieve në Shqipëri zotërohen nga persona biznesi me lidhje të ngushta me politikanë dhe/ose rrjete të krimit të organizuar dhe shërbejnë si zëdhënëse për këto interesa”.
“Anëtarët e lartë të qeverisë ndaluan gjithashtu disa gazetarë nga konferencat e tyre për shtyp kur pyetjet e tyre u konsideruan tepër të forta, siç ndodhi në një rast me pyetjet për ministren e Jashtme Olta Xhaçka”, thuhet në raport.
Blushi vuri në dukje se, “farsa dhe masakra elektorale e 14 majit, krimet zgjedhore të mirëdokumentuara që kurrë nuk do të anashkalohen dhe as do të pranohen, bërja njësh e shtetit dhe policisë në krimet elektorale, përdorimi i mafies dhe parave të pista në funksion të blerjes së votës dhe tjetërsimit të saj, nuk do ta zmbrapsin opozitën, përkundrazi e motivojnë atë më shumë në betejën e saj legjitime, në misionin patriotik dhe kombëtar për ndryshim, siç shumica e shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë e kërkojnë”.
“Përshkallëzimi i aksionit opozitar në Këshillat Bashkiakë, rikthimi i transparencës për çdo qindarkë që paguajnë taksapaguesit në çdo bashki të vendit do të nisë menjëherë.Nuk ka dorëzim dhe as kapitullim përpara mafies shtetërore, përpara narkoshtetit dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij kudo ku janë. Por vetëm betejë, betejë dhe përballje pa kompromis deri në triumfin e plotë të demokracisë, transparencës dhe llogaridhënies”, tha Blushi.
