Bashkëpunimi me kandidatët e ‘BF’ në bashkitë ku kanë fituar, Rama: Eksperienca ka treguar se është e pamundur

Kryeministri Edi Rama doli sot në një komunikim me gazetarët pas daljes së rezultateve në disa bashki ku PS siguroi fitoren.

I pyetur për bashkëpunimin që mund të ketë me kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë në bashkitë ku ata janë zgjedhur si kryebashkiakë, Rama tha se eksperienca kishte treguar deri më tani se një gjë e tillë është e pamundur.

Por nuk përjashtoi bashkëpunimin me ata kryebashkiakë të kahut të kundërt politik, të cilët vendosin interesin e komunitetit para agjendave politike.

“Bashkëpunimi me ta është i pamundur jo për shkakun tim por për shkakun e tyre. Këtë e tregon eksperienca por do e shohim rast pas rasti. Nëse do vënë interesat e komunitetit mbi agjendat politike, ne nuk kemi asnjë problem me këtë dhe e kemi për detyrë dhe privilegj që t’i shërbejmë çdo anëtari të bashkive brenda 28 mijë kilometra katrorëve”- tha Rama.