Prrenjas/ Serbi përplas me trajler makinën e gjermanes, humb jetën 56-vjeçarja
Udhëtimi në Shqipëri, përfundoi në mënyrë tragjike edhe për një çift gjermanësh.
Gruaja humbi jetën, ndërsa burri mbeti plagosur pasi makina që drejtohej nga 56-vjeçarja u përplas me këtë trajler që drejtohej nga një shtetas serb.
Aksidenti tragjik u shënua rreth orës 17:30, në aksin rrugor “Qafë Thanë-Prrenjas”.
Siç tregojnë pamjet, goditja ishte e fortë dhe gruaja ndërroi jetë në vend, ndërsa pasagjeri mori plagë për të cilat po trajtohet në spital.
Burime thanë se shkak i përplasjes u bë humbja e kontrollit të trajlerit nga shoferi 50-vjeçar nga Serbia, i cili pas aksidentit u ndalua nga policia deri në sqarimin e rrethanave.
Ky ishte aksidenti i shënuar përgjatë të martës në aksin Pogradec-Prrenjas.
Por ngjarjet rrugore të shënuara më herët, lanë pas disa persona të plagosur.
Shkak i aksidenteve u gjet shpejtësia dhe lagështia në rrugë, ndërsa pati dyshime edhe për derdhje të qëllimshme të vajit në rrugë nga drejtues të karrotrecëve.
Njoftimi i policisë për aksidentin
Rreth orës 17:30, në aksin rrugor “Qafë Thanë-Prrenjas”, kamioni që drejtohej nga shtetasi serb S. M., 50 vjeç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasja gjermane U. S., 56 vjeçe.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje, shtetasja U. S. Gjithashtu, është dëmtuar dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve, shtetasi P. K., 50 vjeç, (pasagjer në automjetin me drejtuese shtetasen U. S.)
Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale, drejtuesin e kamionit, shtetasin S. M.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon veprimet në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
