Kujtohen dëshmorët e policisë, ceremoni për efektivët e policisë të rënë në krye të detyrës
Në Ditën e Dëshmorëve u nderua edhe kujtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës. Në një ceremoni ku të pranishëm ishin edhe familjarë të dëshmorëve, drejtues të Policisë vlerësuan kontributin dhe sakrificën e efektivëve që humbën jetën gjatë ushtrimit të misionit të tyre.
Punonjës të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës u nderuan këtë 5Maj.
U vlerësua kontributi dhe sakrifica e tyre.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha se vepra e efektivëve që nuk janë më do të përkujtohet gjithmonë.
"Sakrificat e tyre na kanë motivuar dhe na motivojnë që të mos harrojmë kurrë betimin para flamurit dhe të nderojmë uniformnë që mbajmë veshur. Ky betim ka në themelin e tij dhe gjakun e 226 dëshmorëve".
Në radhët e policisë janë të shumtë fëmijët që ndjekin misionin që prindërit e tyre nuk mundën ta çonin deri në fund.
"Zotohem se do të punoj pa kursyer asgjë nga vetja për të nderuar kujtimin e të gjithë të rënëve."
Të rënët në krye të detyrës u përkujtuan edhe nga zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Në fund të ceremonisë, të pranishmit vendosën kurora me lule në memorialin kushtuar Dëshmorëve të Policisë.
