Heqja e emrit “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës, pasardhësi: Kërkesë bizare

Përmes ndryshimeve statutare të cilat janë në diskutim, është propozuar largimi i emrit “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës.

Kjo justifikohet me faktin se vendosja e emrit u bë shumë vite pas themelimit të universitetit, dhe në arenën ndërkombëtare jo rrallë herë është ngatërruar si institucion i ri.

Po ashtu, pasaktësi ka shkaktuar edhe fakti që një Universitet në Mitrovicë që është në gjuhen serbe pretendon emrin Universiteti i Prishtinës, që ka krijuar konfuzitet dhe probleme ndër tjera edhe në listimin e punimeve.

Por argumente të tilla nuk qëndrojnë sipas Mehmet Prishtinës, pasardhës i Hasan Prishtinës, i cili për "Drejt" thotë se kjo kërkesë ka shkaktuar shqetësim te familja e patriotit.

"Propozimi ka dalë nga Rektori i Universitetit Qerim Qerimi para një jave. Del me një propozim dhe arsyetim të papabazë kinse nevoja e ndërrimit të këtij emri lidhet me faktin se po krijon konfuzion në rankimin në listën e Universiteteve ndërkombëtare, në botime shkencore. Nuk qëndrojnë. Kjo kërkesë bizare ka shkaktuar shumë shqetësim jo vetëm te ne si familje por te gjithë populli që në vete ngërthen vlera kombëtare".