Francezët nuk ndalen, krerët e sindikatave: Më 1 maj, protestë e paprecedentë

Zemërimi i qytetarëve francezë ndaj qeverisë vazhdon teksa po afron dita e protestës së madhe. Në 24 orët e fundit, një grup demonstruesish bastisën operatorin e këmbimit Euronext, në Paris.

Edhe në Lion zyrat e qeverisjes vendore u sulmuan nga më shumë se 100 punonjës të hekurudhave. Ndërsa në Gardane’, liderja e sindikatës së njohur CGT, Sophie Binet bëri thirrje për një mobilizim historik ditën e 1 majit.

“1 maji do të jetë dita e një mobilizimi të paprecedent. E paprecedent sepse është hera e parë që të gjitha sindikatat kanë bërë thirrje për protestë, ndaj do të jetë një ditë e unitetit dhe mobilizimit popullor”,-tha Sophie Binet, kryetare sindikate.

Ndërkohë, gjatë një vizite në një shkollë në lokalitetin Ganzhe’, presidenti Macron u kontestua sërish nga banorët.

“Është normale të shprehësh zemërimin, por ne duhet të ecim përpara. Do të vazhdojmë rrugën me projektet tona për arsimin dhe t’u përmbahemi zotimeve tona”,-tha Emmanuel Macron, president i Francës:

Macron ka nisur një tur në Francën rurale në përpjekje për të qetësuar qytetarët pas aprovimit të reformës së pensioneve dhe pas tre muajve protesta.