Kapet kokainë me vlerë 150 milionë euro në Venecia, ishte fshehur në një anije mallrash

Një ngarkesë prej 850 kilogramë kokainë me vlerë tregu 150 milionë euro u sekuestrua pranë portit të Venecias në Itali.  Pakot e drogës ishin të pajisura me aparate GPS ku trafikantët besohet se kanë gjurmuar lëvizjen e ngarkesës që nga nisja në brazil. Destinacioni final i anijes ende po hetohet, ndërsa policia po përpiqet të zbulojë bashkëpunëtorin e trafikantëve tek anëtarët e ekuipazhit.

Autoritetet italiane sekuestruan një sasi të konsuderueshme kokaine në bordin e një anije mallrash me flamur liberian, e cila mbërriti në portin e Venecias pasi ishte nisur nga Brazili.

Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar arrin në 150 milionë euro sipas çmimeve të tregut.

Kokaina ishte fshehur në tubacionet e shkarkimit të anijes të cilat përdoren për të ftohur motorët.

Hetuesit gjetën 570 pako me 850 kg pluhur narkotik të cilat kishin të stampuara me figurën e jaguarit, simbol i narkosit meksikan.

Të gjitha pakot ishin pajisur edhe me GPS, mesa duket për ti ndihmuar trafikantët që të ndjekin itinerarin e lëndës narkotike dhe të merrnin masa për pritjen e saj në pikën e mbërritjes.

Anija hyri në portin e Marghera të enjten pasi qëndroi në det me spirancë për tri ditë.

Ajo kishte kryer para mbërritjes në Itali edhe një ndalese teknike në Gjibraltar.

Në këtë kohë, autoritetet italiane duket se kanë marrë informacionin për ngarkesën e kokainës të fshehur në anijen tregtare me një ekuipazh shtetasish rusë.

Denoncimi ishte i detajuar dhe shpjegonte se ku ishte fshehur kokaina.

Pasi anija ka hedhur spirancën pranë portit të Venecias, Guardia di Finanza vendosi të ndërhynte dhe të kontrollonte nëse denoncimi që ishte raportuar nga shërbimet e Antidrogës  ishte i vërtetë.

Forcave të rendit iu deshën dy ditë për të nxjerrë në sipërfaqe të gjitha pakot e kokainës, e cila sipas analizimeve, arrin një nivel pastërtie deri në 95 përqind.

Hetuesit thonë se ende nuk është i qartë destinacioni final i drogës, pasi ndalesa pranë portit të Venecias, ishte një pikë tranziti për anijen tregtare Atlas.

Nga ana tjetër policia ka marrë në pyetje ekuipazhin e anijes, të cilët pretendojnë se nuk kishin dijeni për koakinën, edhe pse ka dyshime se disa prej tyre mund të jenë bashkëpunëtorë në skemën e trafikut.