Studentët në luftë, Kremlini mohon zërat, Peskov: Nuk ka bisedime për ndonjë valë të re mobilizimi

Nuk ka ftesa për studentët që të rekrutohen në ushtri. Ky është pretendimi zyrtar i Kremlinit, ndërsa zërat për të kundërtën sa vijnë e shtohen.

Ndërsa agjencitë perëndimore raportojnë për rekrutime të reja ushtarake nga Rusia, zyrtarisht Kremlini mohon një gjë të tillë.

“Nuk ka bisedime në Kremlin për ndonjë valë të re mobilizimi”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve, teksa zërat se shumë studentëve u ka kanë mbërritur thirrja për t’u bërë pjesë e ushtrisë sa vjen edhe shtohen.

Pas dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar në shtator një “mobilizim të pjesshëm ushtarak”, me qëllim të përforcimit të ushtrisë.

Ky njëherësh ka qenë mobilizimi i parë ushtarak që ka ndodhur në Rusi, prej Luftës së Dytë Botërore.

Qindra mijëra burra janë rekrutuar, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë kanë zgjedhur arratinë, duke braktisur vendin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov shprehet se është duke vazhduar puna për modernizim dhe digjitalizim të sistemit rus të rekrutimit, lidhur me “obligimin kushtetues të shtetasve rusë për të kryer shërbimin ushtarak”, por mohon se në të po përfshihen studentët.

Javën e kaluar, Putin e ka nënshkruar një ligj për krijimin e një sistemi të rekrutimit, që parasheh edhe ndalimin për të kaluar kufirin të meshkujve, në rast se injorojnë ftesën.

Në mesin e ndëshkimeve tjera, për ata që nuk përgjigjen, është përmendur edhe pamundësia për të marrë kredi, për të regjistruar pronë, apo për të punuar si sipërmarrës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.