FOTO-Lajmi/ Në hetim për 4 vepra penale, Arben Ahmetaj "imazhi" i fushatës së PS-së

Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj edhe pse është nën hetim, ne gjendje te lire, për të paktën 4 vepra penale nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nuk mund të mungonte në çeljen e fushatës zgjedhore për 14 majin nga Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama.

Ahmetaj ishte i pranishëm pasditen e sotme në sheshin e Tiranës, ku ndoqi nga afër shfaqjen e organizuar nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku në detyrë i Tiranës, Erion Veliaj, duke u shndërruar kështu në imazhin më të mirë të fushatës së socialistëve në këto zgjedhje vendore.

Dhe pamjet e tij janë fokusuar nga foto-reporteri i njohur Agim Rama i cili e ka shpërndarë edhe në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale fotografinë e sh-numrit 2 të qeverisë “Rama”.

Sakaq, kujtojme se Arben Ahmetaj po hetohet nga SPAK-u për mos deklarim apo fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë, pastrimi i parave dhe shpërdorimi i detyrës.

Dhe kjo e fundit lidhet me hetimet në rastin e inceneratorëve, për të cilën ish zëvendëskryeministri ka këmbëngulur se nuk është i përfshirë në asnjë lloj mënyre apo rrethane.

Pak javë më parë, SPAK-u vendosi në sekuestro preventive dy vila në bregdet, pas dyshimeve se ato kanë lidhje me ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj.

Për njërën vilë, e cila ndodhet në zonën e Palasës, prokuroria dyshon se i përket ish bashkëshortes së zoti Ahmetaj, ndërsa tjetra në zonën e Hamallajt është në pronësi të bashkëjetueses së tij.