Dhunoi mësuesen në shkollë pasi i bullizoi mbesën, procedohet penalisht 41-vjeçarja në Memaliaj

41-vjeçarja e cila dhunoi mësuesen e shkollës 9-vjecare Nimete Progonati është proceduar penalisht.

"Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. K., 41 vjeçe, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Ditën e sotme, në ambientet e shkollës 9-vjeçare Memaliaj, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, 41-vjeçarja (familjare e një nxënëseje) ka dhunuar fizikisht një mësuese në këtë shkollë," njoftoi policia.

43 vjeçarja M.H. është dhunuar nga tezja e një fëmije në ambjentet e shkollës. Shkak është bërë pretendimi për bullizim të nxënëses 9 vjeçare në klasën e 3-të prej mësueses.

Tezja e fëmijës kishte shkuar të merrte fëmijën nga shkolla ndërkohë që u ndesh me të qarat dëshpëruese të mbesës së saj e cila u ankua se mësuesja e kishte qëlluar dhe bullizuar gjatë procesit të sotëm mësimor.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetases S. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.