Shabani: Shoh mamuthë në gjithë fushat, çfarë shkence bën Skënder Gjinushi?

Pedagogu Endri Shabani i ftuar në "Ora e Betit" thotë se Skënder Gjinushi në krye të Akademisë së Shkencave është kartolina më e mirë se në çfarë gjendje është ky vend.

Shabani: Të shohësh Skënder Gjinushin, ish-ministrin e Partisë së Punës, në krye të Akademisë së Shkencave nuk ke nevojë për kartolinë tjetër për të kuptuar se në çfarë situate është ky vend.Është simboli i ngecjes në 33 vjet. Ky vend nuk paska shkolluar asnjë njeri tjetër, nuk paska përgatitur asnjë akademik të ri, këtu paska mbetur.

Të vijë dikush që ka rënë në koma, të zgjohet dhe sheh Skënder Gjinushin, sheh Edi Ramën, Ilir Metën dhe thotë zëre se më zuri gjumi dje. Nuk ka lëvizur asgjë në asnjë fushë të jetës. Akademia e Shkencës duhet të kishte një sens vetëkontrolli. Ka ardhur koha që të ketë dhe akademikë të rinj. Shoh mamuthë në gjithë fushat. Është një grup njerëzish që e ka kapur këtë vend për fyti dhe nuk e meritojnë. Çfarë shkence bën Skënder Gjinushi?