Rama: Krenar për vlerën e fitoreve tona sollën për Shqipërinë, jemi vend tjetër sot vetëm falë PS-së

Partia Socialiste çeli sot pasdite fushatën për zgjedhjet vendore të 14 majit me sloganin “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara” në praninë e 61 kandidatëve të PS-së për bashkitë e vendit. 

Në fjalën e tij, Rama u shpreh krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS-së kanë sjellë për Shqipërinë dhe theksoi se sot Shqipëria është një vend krejt tjetër në sytë e botës. 

Rama tha se kjo është fushata e nëntë që kur ka privilegjin të drejtojë PS-në duke shtuar se ajo ka fituar 7 nga 8 palë zgjedhje duke humbur vetëm një, të cilat më shumë sesa i humbën, ua morën. 

“Sidoqoftë të fitosh zgjedhjet është një gjë ndërsa krejt tjetër është ta kthesh fitoren e zgjedhjeve në vlerë të shtuar për vendin, njerëzit, komunitetet, gjeneratat e tjera. Prandaj shumë më tepër sa për bilancin historik të fitores me kundërshtarë sa të egër aq dhe të dobët, unë jam krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS kanë sjellë për Shqipërinë.

Shqipëria është një vend krejt tjetër në sytë e botës. Për herë të parë në histori na janë besuar dhe role të dorës së parë në arenën ndërkombëtare që nga Presidenca e OSBE deri te ulësja e përkohshme në KS të OKB-së. Sot marrëdhëniet ndërkombëtare janë në nivelin më të lartë”, tha Rama.