Rama: 5.64 miliardë lekë eksporte nga bimët mjekësore, kemi mbështetur 1086 projekte

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të bimëve mjekësore dhe aromatike në rang botëror, edhe pse ka një territor krahasimisht të vogël për sasinë e prodhimit.

Kryeministri Rama përshëndeti sot punimet e konferencës së katërt kombëtare të industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, ku theksoi se, në këtë industri janë mbështetur 1086 projekte nga ana e qeverisë për një sipërfaqe totale që është rreth 2400 hektarë.

Po ashtu, sipas tij, janë mbështetur me grante të qeverisë 16 investime të rëndësishme, si dhe janë edhe 11 investime të tjera që i shtohen këtyre 16 investimeve që janë mundësuar nga kanalizimi në këtë industri i fondeve të IPARD-it, programit të Mbështetjes Europiane përmes Agjencisë të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

Rama u shpreh se, këtu është baza e një industrie të së ardhmes.

“Ajo çka e gjithë bota ka bërë deri më sot me mbledhjen dhe përpunimin e bimëve mjekësore aromatike është vetëm fillimi i një transformimi të jashtëzakonshëm në vitet që vijnë dhe për sa i përket xhiros së kësaj industrie që sot është në shifra të mëdha, botërisht flas, xhiroja parashikohet të rritet në mënyrë eksponenciale në vitet dhe në dekadat që vijnë”, theksoi ai.

Kryeministri theksoi se, edhe në Shqipëri ka pasur një hop të rëndësishëm sasior dhe cilësor të kësaj industrie.

Kryeministri theksoi po ashtu se bimët mjekësore aromatike hyjnë në zërat e eksporteve bujqësore me një peshë goxha të rëndësishme, me 5.64 miliardë eksporte.