Falsifikimi i firmave, Edmond Miza denoncon Agron Malajn: Kryebashkiaku i dha leje HEC-i të vëllait
Kryebashkiaku i Matit Agron Malaj përdori funksionin për t’i dhënë lejen e ndërtimit të një HEC-i vëllait të tij. Ky është pretendimi i një qytetari nga fshati Madhesh i Matit që prej dy vitesh ka kallëzuar kryebashkiakun socialist. Edmond Miza i dërgoi organit të akuzës këtë të martë edhe ekspertizën kaligrafike, përmes të cilës pretendon se faktohet falsifikimi i firmave të banorëve.
Edmond Miza nga fshati Madhesh i Bashkisë së Matit, rikthehet në Prokurorinë e Posaçme lidhur me një kallëzim ndaj kryebashkiakut Agron Malaj, dhe vëllait të tij Fatos Malaj.
Ai thotë se kryebashkiaku ka favorizuar vëllain e tij për ndërtimin e një HEC-i, duke shpërdoruar detyrën dhe duke favorizuar kundër ligjit familjarët e tij.
Edmond Miza pretendon se atij dhe disa banorëve të tjerë, u është falsifikuar firma. Këtë të martë ai u paraqit në SPAK për ti vënë në dispozicion organit të akuzës, ekspertizën kaligrafike që sipas tij provon falsifikimin.
Kallëzimi është bërë 2 vite më parë, ndërsa Miza pretendon prej kaq kohësh nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur me hetimet teksa iu drejtua SPAK-ut edhe me një kërkesë për informacion.
