"Ditari i tranzicionit", Prof. Dr. Anastas Angjeli boton kolanën me 8 vëllime
Zhvillimet ekonomike të Shqipërisë të 30 viteve të fundit Profesor Doktor Anastas Angjeli i ka përmbledhur në 8 botime. Kolana u promovua të martën në Akademinë e Shkencave me pjesëmarrje të akademikëve e studiuesve të njohur.
Promovohet në Akademinë e Shkencave, kolana “Ditari i tranzicionit”, me 8 vëllime, nga Akademik, Prof.Dr Anastas Angjeli. Kjo kolanë, si përmbledhje e ngjareve ekonomike në Shqipëri, për 30 vjet, vjen pak muaj pasi profesori mori çmimin “Eqerem Çabej”, çmimi më i rëndësishëm shkencor që akordohet nga Akademia e Shkencave.
Në ceremoninë e organizuar, morën pjesë studiues, akademikë të njohur, gazetarë e profesorë.
E ftuar e veçantë ishte edhe Zv Kryetarja e Akademisë së Shkencave të Kosovës, Justina Pulaj Shiroka.
Në fjalën e saj ajo shprehu vlerësime jo vetëm për kolanën, por veçanërisht për figurën e njohur dhe të respektuar si dhe kontributin në ekonomi e politikë dhe arsim të Prof. Angjelit.
“Kolana më 8 vëllime që po prezantojmë sot na sjell në kujtesë në mënyrë integrale historinë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë të pas viteve 90-të. Kam kënaqësinë të flas sot jo vetëm për botimet, por edhe për personalitetin e kolegut të nderuar.Akademik Angjeli është së pari intelektual i çmuar, economist I përmasave evropiane, anëtar I akademisë europiane të Shkencave, si dhe Doctor Honoris Causa në disa Universitete botërore”, u shpreh akademikja nga Kosova.
Nga sa theksoi në fjalën e saj, Prof Angjeli është padyshim një nga studiuesit më të njohur në lëmin e ekonomisë dhe veçanërisht ekonomisë financiare.
“Na ka dhuruar dhjetra publikime shkencore si autor dhe bashkëautor të publikuara në Shqipëri dhe jashtë vendit.Por jo vetëm kaq. Në këtë hark kohor ai ka mbajtur edhe mjaft detyra të larta shtetërore si deputet, ministër, anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë etj. Në botimet e tij, Akademik Angjeli ka pasqyruqar një begati diturish,në lidhje me reformat, zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Ndaj respekti dhe vlerësimi jonë është tepër i madh për të gjitha zgjidhjet praktike dhe analizat”, tha Akademikja Pulaj.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi në fjalën e tij u shpreh se Kolana “Ditari i Tranzicionit ekonomik”, ka tre specifika.
“Është e para herë që një përmbledhje studimesh e analizash kaq voluminoze në ekonomi, të promovohet në këto mjedise të Akademisë së Shkencave. Kolana është produkt i një autori, por ai në shkrimin e konceptimin e saj shfaqet me disa cilësi e funksione. Ky ditar rrok një periudhë të papersëritshme të ekonomisë e historisë shqiptare, atë të tranzicionit, që rezulton më i veshtiri e i shoqëruar me dukuri e eksperimente të panjohura më pare".
Vetë autori u shpreh se kjo kolanë erdhi si pasojë e dy detyrimeve personale.
"Së pari për të lënë një gjurmë në historinë e tranzicionit, sepse shumë pak kur flitet për zhvillimet ekonomike, financiare dhe sociale që janë bërë në Shqipëri kemi informacion dhe brezat e ardshëm duhet të dinë nga cfarë ekonomie kemi rrjedhur dhe drejt ccfarë ekonomie po shkojmë.Besoj që me këtë kolanë kam dhënë një kontribut modest për këtë pjesë. Së dyti isha përballë presionit të fëmijëve miqve dhe bashkëpunëtorëve të mi, që këto botime t’i përmblidhja në një kolanë për t’ju lënë brezave të rinj, studiuesve, studentëve disa informacione për disa reforma e procese që janë zhvilluar në vendin tonë. Këto dy arsye dhe disa vite punë, sjellin sot këtë kolanë".

