“Drita të triumfojë mbi errësirën” Imzot Dodaj mesazh për Pashkët: Shqipëria të kthehet në shpresë për të rinjtë
Në vigjile të Pashkës krerët e kishes katolike në Shqipëri dhanë mesazhe paqeje dhe shprese. Imzot Arian Dodaj u ndal tek emigracioni masiv ndërsa besimtarëve u tha se asnjë e keqe nuk duhet të ketë përgjigje me të keqe. Mesazhin e tij e përcolli nga Shkodra, edhe imzot Angelo Massafa I cili tj ase nëse kemi besim në Krishtin e Ringjallur, i kemi edhe mundësitë që të përballojmë gjithçka me guxim, angazhim dhe bujari
Me këto fjalë të shenjta Arqipeshkvi Kryedioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arian Dodaj iu drejtua besimtarëve të krishterë në vigjilie të Pashkës.
Në hyrje të mesazhit të tij Dodaj bëri thirrje për paqe, çlirim nga e keqja dhe urrejtja.
"Në këtë festë të Pashkës ta ndjekim Jezusin, duke u çliruar nga e keqja nëpërmjet çarmatosjes së duarve, të syve dhe zemrave nga çdo paragjykim, urrejtje dhe përçarje dhe veçanërisht nga ideja që t'i përgjigjemi të keqes me të keqe. Kështu të rizbulojmë bukurinë e pranisë së të afërmit në jetën tone, vlerën e tij, pasi me urrejtje jo vetem zbrazim zemrat tona, por rrezikojmë të zbrazim edhe vendin tonë nga shpresa që kërkon zemra e etur e çdo shqiptari," tha ai.
Në mesazhin e tij ai u ndal tek shpopulli i vendit duke u lutur për ditë më të mira.
"Shqipëria, me shpresën që jep Ringjallja, të kthehet në sinonim shprese, Shqipëria të kthehet në një oportunitet dhe jo më utopi për zemrat e gjithë të rinjve dhe familjeve të reja dhe po ashtu për ato kategori që janë më të mënjanuara, ndoshta sepse nuk janë pjesë e një qarku të caktuar. Shqipëria, me Ringjalljen e Krishtit Zot, të ketë forcën për të mposhtur dimrin demografik, jo vetëm për hemorragjinë e shkaktuar nga emigrimi, por edhe për uljen e ndjeshme të numrit të të lindurve. Pashka është forca e dashurisë që na rijep jetën dhe shpresën të gjithëve," tha ai.
Nga Shkodra, Imzot Angelo Massafra duke bërë thirrje për paqe mes njerëzve, tregoi rëndësinë e madhe të besimit në ngjalljen e krishtit.
"Të besosh se Jezusi është ringjallur do të thotë ta mirëpresësh atë si të vetmin Shpëtimtar, domethënë si Atë që i riktheu dinjitetin e humbur njerëzimit të rënë për shkak të mëkatit fillestar, duke rindërtuar në të përngjasimin e Krijuesit. Prandaj, duke e pranuar Atë si të Ringjallurin, ne e pranojmë se kemi nevojë për shpëtim dhe besojmë se vetëm Ai mund ta realizojë atë," tha ai.
Pashka është një ndër festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë, ndërsa në meshën e mesnatë nëpër të gjitha kishat e vendit besimtarët ndezin qirinj si simbol I triumfit të jetës mbi vdekjen.
