Simbole misterioze/ Arkeologët zbulojnë petroglifet unike në shkretëtirën e Katarit
Në shkretëtirën e Katarit janë zbuluar nga arkeologët disa simbole misterioze. Midis dunave të rërës, në Al Jassasiya, evidentohen rreth 900 petroglife të rëndësishme të artit shkëmbor, që përfaqësojnë një shkallë të lartë kreativiteti.
Arkeologët kanë zbuluar rreth 900 "petroglife" ose gdhendje shkëmbore në Al Jassasiya. Këtu njerëzit shekuj më parë gdhendnin simbole, motive dhe objekte që vëzhgonin në mjedisin e tyre. Ato janë kryesisht shenja enigmatike, duke përfshirë rreshta dhe rozeta, por edhe paraqitje tërheqëse të anijeve me vela, zakonisht të dukshme nga lart, por edhe të përshkruara në profil linear.

“Megjithëse arti shkëmbor është i zakonshëm në Gadishullin Arabik, disa nga gdhendjet në Al Jassasiya janë unike dhe nuk mund të gjenden askund tjetër”, tha për CNN, Ferhan Sakal, kreu i gërmimeve dhe menaxhimit në Muzetë e Katarit, duke iu referuar petroglifeve të anijeve.

"Këto gdhendje përfaqësojnë një shkallë të lartë kreativiteti dhe aftësish vëzhgimi nga ana e artistëve që i kanë bërë ato dhe gjithashtu të menduarit abstrakt, pasi ata nuk ishin në gjendje të shihnin një anije tradicionale nga lart."

Ka rreth 12 vende të njohura me petroglifë në Katar, të vendosura kryesisht përgjatë brigjeve të vendit, megjithëse disa gdhendje mund të shihen edhe në zemër të Al Bidda Par të Dohas, me pamje nga Corniche, një shëtitore e njohur buzë detit.
Nga të gjitha figurat dhe kompozimet e vetme të dokumentuara, më shumë se një e treta përbëhet nga shenja kupash në konfigurime, forma dhe madhësi të ndryshme.
Formacionet e kupave mendohet se përdoreshin për ruajtjen e perlave; ose si sisteme për të llogaritur kohën dhe baticat. Sugjerohet gjithashtu se ato mund të kenë një kuptim dhe funksion ritual, i cili është shumë i vjetër, saqë nuk mund të shpjegohet etnografikisht.

