Shpëton "Miss Ballkani", Qeveria miraton fondin për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut
Qeveria e Shqipërisë ka reaguar më në fund sa i përket situatës së Urës së Zogut në Mirditë.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 7 prill, qeveria vendosi që të financojë një ndërhyrje emergjente në urën që rrezikon shembjen.
Fondi për ndërhyrjen është akorduar 57 515 644 lekë të reja.
Pak ditë më parë në një deklaratë për shtyp të Federatës Pan-Europiane Europa Nostra dhe Institutit të Bankës Europiane të Investimeve bazuar në rezultatet e një raporti teknik mbi Urën e Zogut në Shqipëri, theksohej nevoja urgjente për shpëtimin nga shembja dhe rehabilitimin e kësaj ure.
Sipas këtyre organizatave ndërhyrja urgjente duhet bërë në një fazë të parë e cila do të zgjasë dy muaj dhe do të kushtonte 69 milion lekë ndërsa kosto dhe kohëzgjatja e fazës së dytë janë akoma të papërcaktuara.
Ura e Zogut, e njohur si Monument Kombëtar që prej vitit 1999, është përfshirë në listën e shtatë vendeve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara për vitin 2022 në Europë.
Gjendja e urës u përkeqësua në mënyrë të frishme nga reshjet e shiut të vitit 2022, teksa njëra prej këmbëve të urës u zhvendos disa metra, duke rrezikuar shembjen e urës.
Aktivistët vendas, por edhe organizatat ndërkombëtare kanë bërë thirrje disa herë për ndërhyrje urgjente që të shpëtohet ura.

