Meta vlerëson Alba Kepin dhe Beti Njumën: Në 14 maj sekti i “Rilindjes” është i pashpresë, e gjithë Shqipëria do jetë Shkodër

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë për mediat lokale, në “Koplik TV” deklaroi se sekti kriminal i “Rilindjes” i drejtuar nga Edi Rama, i ka pasur mundësitë të bëjë gjithçka për Shkodrën, ndaj në 14 maj ata janë të pashpresë, dhe se e gjithë Shqipëria do jetë Shkodër atë ditë, duke nënkuptuar një triumf të thellë të koalicionit opozitar në garën përballë mazhorancës socialiste.

"Rilindja i ka pasur të gjitha mundësitë, për ato kompetenca që Rilindja ka pasur, që ka pasur të gjitha pushtetet të bëjë gjithçka për Shkodrën. Kush ja ka fajin Rilindjes që hoqi gjykatat nga Shkodra.

Gjykatën e Apelit, Gjykatën e Administrative kush ja ka fajin? Voltana Ademi apo Bardh Spahia? Kush ja ka fajin Rilindjes që i hoqi Drejtorinë e Arsimit Shkodrës? Si mund t’i hiqet Drejtoria e Arsimit Shkodrës, mund të ma shpjegosh këtë?

Shkodra gjithmonë ka qenë qendër shumë e fuqishme e rëndësishme e arsimit në të gjitha kohërat. Si mundet? Nuk ka situatë më kritike më të rëndë për peshën, për rolin për vlerësimin e Shkodrës.

Dhe kjo është e qëllimshme, është e programuar. Sepse duke asgjësuar të gjithë këto drejtori, dhe duke asgjësuar Shkodrën si qendër shumë të rëndësishme administrative, kuptohet që shumë intelektualë, shumë profesionistë do ikin nga Shkodra.

Ose do ikin në emigrim, ose do të ikin në Tiranë ose diku tjetër. Natyrisht që kjo e dobëson këtë qytet të jashtëzakonshëm.

Ata shpresojnë se kështu do të dobësojnë dhe rezistencën ndaj kësaj neo diktature. Por këto janë plane të pashpresa.

Shkodra i ndëshkoi në ditën më të vështirë në 6 mars, në një ditë që ishte vërtetë një test kritik për demokracinë në Shqipëri, për opozitarizmin në Shqipëri.

Shkodra e tregoi veten si një luaneshë e vërtetë, përballoi çdo lloj presioni edhe zgjodhi demokracinë edhe zgjodhi të vërtetën.

Nuk e përkuli shpinën. Tani në 14 maj e gjithë Shqipëria do të jetë Shkodër. Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Berati deri në Sarandë", theksoi Ilir Meta.

Lidhur me Këshillat bashkiakë, Meta theksoi se Koalicioni i Opozitës ka personalitete dhe jo kukulla, duke u zotuar se ata do t’i dalin për zot qyteteve.

"Bashkimi ynë, që është bashkim për ndryshim ‘Bashkë Fitojmë’ ka jo vetëm kandidatët më të mirë, sepse kanë dalë nga një process shumë transparent, shumë legjitim por njëkohësisht edhe përsa i takon këshillave ne i kemi dhënë vlerësimin maksimal. Sepse qytetarët nuk kanë parë ndonjë mbledhje këshilli, nuk e di ndoshta ju këtu mund të keni parë në Malësinë e Madhe.

Por në Tiranë kam parë ndonjëherë ndonjë mbledhje të këshillit bashkiak të Tiranës? Kur nuk ka ndodhur një mbledhje në këshillin e Bashkisë së Tiranës që e ka buxhetin në një vit 350 milionë euro, në një mandate 4 vjet 1.4 miliardë euro, të ardhura që krijohen nga taksat e qytetarëve që banojnë në Tiranë, që administron Bashkia e Tiranës.

Për 1.4 miliard euro nuk ka një mbledhje, nuk ka një dëbat, nuk ka një sqarim se kush është burimi i të ardhurave, sesa u rritën taksat nga vjet në sivjet, se kush janë investimet, sesa janë shpenzimet, sesa janë investimet. Ku në cilën bashki të Shqipërisë do të ketë një transparencë apo llogaridhënie që është e domosdoshme se në fund të fundit janë paratë që paguajnë qytetarët.

Që paguan çdo familje, që paguan çdo biznes, që paguan edhe për një tavolinë që nxjerr atje përjashta. Që rritet uji, që rritet gjithçka në mënyrën më arbitrare. Ju e dini kush është kryetare e këshillit bashkiak të Tiranës? Atë prap e kanë vënë të parën është një zëvendësministre, vartëse e Edi Ramës.

Nuk është problemi i saj, është rëndësia që iu jep Edi Rama këshillave, ato i ka thjesht për të firmosur fët e fët, asgjë tjetër të jesh i sigurt. Kush është në krye të listës sonë në Tiranë, Ilir Alimehmeti, e njihni ju?

Ka njeri që nuk e njeh? Është personalitet i shëndetësisë, një figurë mjaft humane, pranë qytetarëve dhe gjatë krizës së pandemisë dhe në vazhdimësi por edhe figurë qytetare në mbështetje të kauzave të drejta qytetare.

Kemi një gazetare shumë të njohur Beti Njuma, përfaqësuese e shoqërisë civile, një përfaqësuese e lirisë së medias, e një televizioni që është intimiduar seriozisht nga ky regjim.

Ne kemi në Tiranë në listën tonë, Arben Tafajn që e njohin të gjithë president i shoqatës ‘Tirana’. Kemi një kolegen tuaj Alba Kepi një tjetër figurë nga shoqëria civile që kthehet nga Italia për të kontribuuar për Tiranën edhe si një qytetare e këtij komuniteti. Dhe kemi shumë personalitet të tjera që padyshim tregojnë që ne nuk po çojmë kukulla, ne po çojmë njerëz me personalitet. Ne po çojmë njerëz që t’i dalin për zot problemeve që ka Tirana sot dhe që do të ketë në ardhmen dhe këtë gjë jemi përpjekur ta bëjmë kudo në të gjithë Shqipërinë", u shpreh Ilir Meta.