Operacion antidrogë në Durrës, në pranga 8 persona të dy grupeve kriminale, sekuestrohet kokainë, 2 makina luksoze e para

Tetë persona pjesëtarë të dy grupeve kriminale në shpërndarjen e drogërave të forta janë arrestuar në Durrës.

Dy operacionet ishin rezultat i një hetimi 6-mujor.

-Gjatë operacionit të koduar “Foremost”, u arrestuan 4 shtetas që vepronin si grup kriminal, për shpërndarjen e drogave të forta, në zonën e Sukthit.

-Gjatë operacionit të koduar “Last deal”, u arrestuan 4 shtetas që vepronin si grup kriminal, për shpërndarjen e drogave të forta, në qytetin e Durrësit.

Sekuestrohen një pako me kokainë, dhjetëra doza kokaine, peshore elektronike, shuma parash të përfituara nga shitja e drogës dhe 2 automjete (2 prej tyre luksoze).

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtraisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për  Seksionin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi 6-mujor me metoda speciale, finalizuan me sukses 2 operacione policore antidrogë, të koduara “Last Deal” dhe “Foremost”, si rezultat i të cilëve u goditën 2 grupe kriminale që ushtronin veprimtarinë e shpërndarjes së dorgave të forta, në zonën e Sukthit dhe në qytetin e Durrësit.

-Në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Deal” u arrestuan shtetasit:

-Goni Muço (alias G. L., G. M., G. F.), 48 vjeç, i dënuar më parë;

-Tani Muça, 43 vjeç, banues në Sukth, i dënuar më parë;

-Amonali Halili, 24 vjeç dhe A. V., 17 vjeç, të katërt banues në Sukth. 

-Në kuadër të operacionit “Foremost” u arrestuan shtetasit:

-Ergi Curri, 25 vjeç, Gentian Konesha., 23 vjeç dhe Kristel Balla 24 vjeçe, të tre banues në Durrës, si dhe Stivens Bulku, 24 vjeç, banues në Shijak.

"Nga hetimet me metoda proaktive ka rezultuar se  shtetasi G. M. kishte rolin e furnitorit me lëndë narkotike kokainë, për këta shtetas, të cilët, pasi e blinin atë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e shpërndanin në zonën e Sukthit dhe të Durrësit, si dhe në lokalet e natës, në qytetin e Durrësit.

Gjithashtu, këta shtetas, për ndarjen e lëndës narkotike, kishin përshtatur ambiente të posaçme në lokalet e tyre, konkretisht në lokalin e shtetasit G. M., në zonën e Sukthit, dhe në lokalin e shtetastit E. C., në një lagje në Durrës," njoftoi policia.

Si rezultat i këtyre operacioneve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

- 1 pako me kokainë, me peshë 130 gramë;

- 40 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë;

- 3 automjete, 2 prej tyre luksoze;

- 96 mijë lekë të rinj dhe disa shuma në euro, franga dhe paund;

-3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla, 1 dorezë hekuri dhe 14 aparate celulare.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.