Publikohen dosjet sekrete të luftës: Rrjedhje informacioni, dalin planet e SHBA-së dhe NATO-s
Dokumente top-sekrete të SHBA dhe NATO mbi operacionet ushtarake në Ukrainë janë bërë publike në rrjetet sociale duke sjellë shqetësim tek administrata biden e cila ka nisur hetimet. Dosjet e publikuara flasin për planet për të forcuar ushtrinë ukrainase në përgatitje të një ofensive kundër Rusisë.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet pas publikimit të dokumenteve të klasifikuara mbi planet sekrete amerikane dhe të NATO-s, për forcimin e ushtrisë ukrainase para ofensivës së planifikuar kundër Rusisë. Pentagoni po heton se kush mund të qëndrojë pas publikimit të këtyre dokumentave, të cilat u shfaqën në Twitter dhe në Telegram, një platformë me më shumë se gjysmë miliardë përdorues që është gjerësisht e disponueshme në Rusi.
Analistët ushtarakë thanë se dokumentet duket se janë modifikuar, duke mbivlerësuar vlerësimet amerikane për viktimat e luftës në Ukrainë dhe duke nënvlerësuar numrin e viktimave ruse. Ndryshimet mund të tregojnë një përpjekje dezinformimi nga Moska.
Por dokumentet origjinale, të cilat janë foto të grafikëve të dërgesave të pritshme të armëve, forcimit të trupave dhe batalioneve dhe planeve të tjera, përfaqësojnë një shkelje të rëndësishme të inteligjencës amerikane në përpjekjen për të ndihmuar Ukrainën. Zyrtarët e administratës Biden janë përpjektur për t’i fshirë ato, por nuk ia dolën.
“Ne jemi të vetëdijshëm se këto raporte janë postuar në mediat sociale dhe departamenti po shqyrton çështjen”, tha Sabrina Singh, zëvendës sekretare e shtypit në Pentagon. Dokumentet nuk ofrojnë plane specifike beteje, si kur dhe ku Ukraina synon të nisë ofensivën e saj.
Megjithatë, dosjet e bëra publike tregojnë oraret për dërgimin e armëve dhe trupave, numrin e forcave ukrainase dhe detaje të tjera të operacioneve ushtarake. Rrjedhja e dokumentave është zbulimi i parë i inteligjencës ruse që është bërë publik që nga fillimi i luftës. Postime të tilla në mediat sociale, të disponueshme në mbarë botën, duket se mund të dëmtojnë bashkëpunimin midis inteligjencës midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.