SHBA, tjetër dërgesë armësh në Ukrainë me vlerë 2.6 mld dollarë
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një dërgesë të re armësh në Kiev për një total prej 2.6 miliardë dollarësh.
Në paketë, sipas një shënimi të Pentagonit, ka municione për sistemet e lëshimit të raketave Himars, aftësitë e mbrojtjes ajrore, raketa dhe sisteme antitanke.
Ndërkohë këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i ka kërkuar Rusisë që të sigurojë akses dhe informacion mbi fëmijët ukrainas dhe civilët e tjerë të zhvendosur me forcë në territorin nën kontrollin e saj.
Organi më i lartë i OKB-së për të drejtat ka miratuar një rezolutë me 28 pro, 17 abstenime dhe dy kundër (Kina dhe Eritrea), e cila i kërkon Moskës "të ndalojë transferimin dhe deportimin e paligjshëm të detyruar të civilëve dhe njerëzve të tjerë brenda Ukrainës ose në Rusi, veçanërisht fëmijët, përfshirë ata nga institucionet pritëse, fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë”.

