Bastiset selia e PPE në Bruksel, kontrollet në kuadër të hetimeve nga autoritetet gjermane për korrupsion
Selia e Partisë Popullore Evropiane është vënë në shënjestër të policisë belge dhe gjermane këtë të martë. Shkak dyshohet të jenë bërë hetimet për ish-kreun e grupit parlamentar të CDU-së që mbështeti fushatën.
Policia belge dhe gjermane mësynë të martën në Bruksel në selinë qëndrore të Partisë Popullore Evropiane.
Bastisjet kanë të bëjnë me një hetim të vazhdueshëm mbi parregullsitë financiare të ish-liderit parlamentar të partisë së qendrës së djathtë gjermane, CDU, Mario Voigt në shtetin e Turingisë, raportojnë mediat europiane.
Ai akuzohet për mbështetje të PPE-së në fushatën zgjedhore të vitit 2019. Por jo vetëm.
Që nga shtatori i vitit 2022, oficerët gjermanë kundër korrupsionit kanë hetuar Voigt me akuzën e rryshfetit.
Vetë kryetari i grupit parlamentar i mohon akuzat ndërsa avokatët e tij e kanë përshkruar hetimin si disproporcional dhe të tepruar.
PPE përfshin disa nga politikanët më të lartë të Evropës, duke përfshirë Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenten e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe Kryeministrin suedez Ulf Kristersson.
Vetë PPE ka dalë në një deklaratë zyrtare ku sqaron ngjarjen.
"Partia Popullore Evropiane konfirmon se përfaqësues nga autoritetet policore belge dhe gjermane vizituan selinë e partisë në Bruksel të martën më 4 prill. Partia po bashkëpunon në transparencë të plotë me autoritetet e përfshira, duke ofruar të gjithë informacionin dhe dokumentacionin përkatës.Duke qenë se ky është një hetim ligjor në vazhdim, PPE nuk mund të japë asnjë koment të mëtejshëm".
Dega e CDU-së refuzoi gjithashtu të komentojë mbi hetimin.

