Zgjedhjet e 14 majit/ Debate në PD, Çupi dhe Tabaku kundër idesë për kandidatë në 61 bashki
27 marsi është afati përfundimtar për dorëzimin e listës së emrave të kandidatëe në zgjedhjet e 14 majit. Partia Demokratike ende nuk e ka një listë të tillë, por brenda mbështësve të Alibeajt ka edhe zëra kundër hyrjes në garë për kryetarë në 61 bashki, duke propozuar që të hyjnë në zgjedhje vetëm për këshillat bashkiakë.
Mbledhja e Kryesisë së PD-së ka sjellë debate lidhur me zgjedhjet vendore të 14 majit.
Deputetët mbështetës të kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj ende nuk kanë arritur në një konsensus për mënyrën se si do të jetë lista e kandidatëve për zgjedhjet vendore.
Për deputeten Dhurata Çupi duhen mbajtur struktura unike përndryshe rrezikon që partia më e madhe opozitare të zvogëlohet në garën e 14 majit.
Sipas Çupit mënyra më e mirë që PD të dalë e pastër në zgjedhje është që të shkojnë vetëm me këshilla bashkiakë.
Çupi: Me dhemb PD dhe do bej çmos te rritet PD dhe te bashkohet sa te mundet. Ne kemi optimizmin të dalim me listën e këshillave bashkiak dinjitozë dhe figura dinjitoze dhe të votohemi shumë më shumë se partitë e tjera. Ndërkohë nuk duhet të dalim me kandidatura për kryetar bashkie. Dhe këtë e kam për të mirën e PD dhe të bashkimit.
Të njëjtën linjë ka mbajtur dhe Jorida Tabaku, duke u shprehur se duhet të shmanget beteja brenda PD-së.
Tabaku: Kam te njëjtin qëndrim që kisha në shtator opozita duhet të dalë me kandidatë unikë. Nuk duhet në asnjë mënyrë që ne të bëjmë betejë kundër nesh, ne kemi një kundërshtar dhe për asnjë arsye nuk duhet të jemi ne ato që përçajnë votën e opozitës. Ne duhet te mbrojmë logon e PD, duhet të nxjerrim Partinë Demokratike si alternative në këto zgjedhje. Unë nuk e bëj dot që të kërkoj votën kundër kolegëve të mi. Nuk kam asnjë dyshim që ne për të fituar duhet të jemi bashkë, duhet të jemi dhe me shumë se kaq.
Edhe pse ende nuk ka një listë të plotë të kandidatëve të Alibeaj, afati i fundit në KQZ për regjistrimin është 27 marsi.
