KAS rrëzon ankimimin e partisë “Lëvizja Bashkë”, Qori: Do ta çojmë në Kolegj!
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e partisë “Lëvizja Bashkë“ për regjistrimin në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Partia “Lëvizja Bashkë” ka depozituar në KQZ shkurtim vendimi lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin vërtëton regjistrimin e saj në Gjykatë.
Në përmbajtje të dispozitivit gjykata shprehet se ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit, afat ky që fillon nga e nësërmja e shpalljes së tij.
Sipas Komisionerit, nga përmbajtja e dispozitivit del qartë se ky vendim nuk është i formës së prerë e si rrejdhojë nuk është i pasqyruar në regjistrin e partive politike të Gjykates së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në analizë të sa më sipërcituar del qartë se partia “Lëvizja Bashkë” nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për tu regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 14 maj 2023.
Për këto arsye Komisioneri vendosi të mos e regjistrojë këtë parti si subjekt për zgjedhjet e 14 majit.
Vendimi i Komisionerit u ankimua nga Partia “Lëvizja Bashkë në KAS.
“KAS pasi diskutoi çështjen në tërësi me shumicë votash vendosi rrëzimin e ankimit të partisë “Lëvizja Bashkë“ dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionerit Shtetërore të Zgjedhjeve”, u shpreh relatori i çështjes në KAS, Elvis Cefa.
Sipas Cefës, kundër këtij vendimit lejohet ankim në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë.
Drejtuesi i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, e ka quajtur politik vendimin e KAS për të mos e regjistruar në zgjedhje. Ai tha se vendimin do ta çojnë në Kolegj Zgjedhor.
“Pse nuk duan t’ia dinë për argumentet, për ligjin, për Kodin Zgjedhor. Çfarë e shqetëson Ramën dhe Veliajn? Ata kanë frikë nga një lëvizje politike e vërtetë, nga njerëz të organizuar dhe me idealet. Ata e dinë se sa shumë na presin qytetarët.
Ne do ta ankimojmë këtë vendim në Kolegjin Zgjedhor dhe paralelisht do të vijojmë me mbledhjen e firmave. Sot në këtë ditë festë do të thyejmë rekordin e firmave të mbledhura për Lëvizjen Bashkë dhe për mua si kandidat i pavarur.
Asnjë i korruptuar nuk na pengon ne. Ata që na pengojnë ne nuk kanë as minimumin e argumenteve ligjore. Ne kemi institucionet e korruptuara kundër por kemi pro ligjin dhe popullin e Shqipërisë”, tha Arlind Qorri.




