Opozita më 14 Maj, Celibashi jep të martën vendimin final për PD-në

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka vendosur që të zhvillojë nesër (e martë) mbledhjen për të marrë vendimin përfundimtar për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

NJOFTIMI I KQZ

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillon séance publike ditën e Martë, datë 14.03.2023, në orën 16:00, me këtë rend dite:

Çështje të mbartura

1. "Për shqyrtimin e kërkesës së partisë politike “Partia Demokratike”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

2. "Për shqyrtimin e kërkesës së partisë politike “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Çështje për shqyrtim rishtas

1. “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e Komitetit Nismëtar që do të organizojë punën për paraqitjen e z. Arlind Muhamet Qori, si kandidat i propozuar nga zgjedhësit për Kryetar Bashkie në zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Po sot, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk ka pranuar ankimimet e grupeve të Alibeajt dhe Berishës nën argumentin se nuk kanë kompetencë për të gjykuar vendimet e ndërmjetme.

Pasi kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se nuk e njeh Sali Berishën si kryetar të PD, të njëjtin argument përdori edhe KAS, duke sqaruar se i mungon kompetenca që të regjistrojë në zgjedhjet vendore PD me kryetar Sali Berishën. Po ashtu sqaroi se Sali Berisha nuk mund të ankimohet për një vendim që i përket grupimit të Alibeajt.