Tenderat nga qeveria, Kapllanaj: S'i marr leje Berishës as Ramës për të konkuruar për punë publike

Agron Kapllanaj u është përgjigjur akuzave në adresë të tij nga Sali Berisha lidhur me përfitimin e tenderave nga qeveria.

Për Ora News ai tha se sulmet e Berishës janë të padrejta dhe se familjarët e tij janë në të drejtën e tyre si taksapagues të këtij shteti të konkurojnë ndershmërisht në çdo punë publike që ka ky vend.

Kapllanaj: Zoti Berisha ka kohë që më sulmon në mënyrë të padrejtë, u jam përgjigjur të gjithë akuzave që më ka bërë. Nuk e kuptoj pse, por në politikë pret sulme nga më të ndryshmet për sa kohë ke marrë përsipër të jesh në politikë. Jam i përgatitur dhe këto lloj sulmesh.

Nuk më ndikojnë, nuk më bëjnë asnjë efekt. Përkundrazi më motivojnë më shumë, më japin forcë dhe mbështetje më tepër dhe pse nuk do ta doja ta kisha këtë mbështetje për shkak se më sulmon Berisha. Berisha tha se familjarët e mi kanë konkuruar dhe kanë fituar një tender në pallatet e rindërtimit në lagjen "5 Maji".

Nuk e kanë të drejtën familjarët e mi që i paguajnë miliona e miliona lekë taksa këtij vendi kanë rreth 200 punonjës që ushqejnë në atë biznes, të konkurojnë në mënyrë të ndershme dhe të fitojnë një punë qoftë dhe një pallat për të strehuar banorët që u prekën nga tërmeti.

Kush ma heq këtë të drejtë, pse Berisha kërkon të ma heqë? Pse është e pandershme që kanë marrë një punë publike në një garë të hapur për të mbajtur veten e tyre në këtë aktivitet? Nuk e di çfarë emri ti vë. Nuk i marr leje as Sali Berishës, as Edi Ramës, as Erion Veliaj që të konkurojë ndershmërisht në çdo punë publike që ka ky vend.