Kushtetuesja shqyrton Bordin e Karburanteve, PD: Cënoi konkurrencën! Ja kur pritet vendimi

Për gati pesë orë Gjykata Kushtetuese shqyrtoi këtë të enjte kërkesën e një grupi deputetësh të PD për shfuqizimin e Bordit që prej një viti cakton çmimet e karburanteve në vend.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, argumentoi se me ngritjen e Bordit është cënuar konkurenca dhe liria e veprimtarisë ekonomike.

"Deklarata të shumta të Shoqatës së Biznesit apo qytetarë qartazi tregojnë se ne aktualisht kemi çmimin më të lartë të karburanteve në rajon. Jemi më shumë se 33% më shumë në raport me Malin e Zi dhe 25% më shumë se Maqedonia e Veriut."

Por anëtarë të Bordit u shprehën se qëllimi i vetëm ka qenë mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi me çmimet e karburanteve.

"Ishte luftë, kur këto ndryshime mund të ishin drastike nga dita në ditë, një Bord ishte i domosdoshëm, ishte i nevojshëm. Përndryshe publiku mund të ndodhej para spekulimeve jo të vogla në tregtimin e karburanteve".

Nga dera e gjykatës, deputetët Dhurata Çupi dhe Dashnor Sula thanë se ky institucion nuk ka mbrojtur interesat e qytetarëve por të oligarkëve.

"Një Bord në kushtet e konfliktit të pastër të interesit, një Bord Publik-Privat, i paparë në asnjë vendimmarrje të vendeve të tjera, qoftë të rajonit, qoftë të BE".

"Bordi është në shërbim të personave të caktuar, kompanive të caktuara apo oligarkëve të caktuar për të përfituar dhe ndarë fitimet e tyre."

Përfaqësuesit e qeverisë u shprehën në Gjykatë se Bordi duhet të funksionojë deri në momentin që të krijohet një stabilitet i çmimeve të karburanteve.

Pas përfundimit të shqyrtimit të kërkesës, gjyqtarët e Kushtetueses u tërhoqën për vendim, për dhënien e të cilit kanë gati një muaj kohë.