Baçi: PD akoma në kohë për bashkim, Berisha jo zgjidhja, por pa të nuk ka zgjidhje

Në një intervistë për Ora News, analisti Agim Baçi u shpreh se brenda PD-së ka akoma kohë që të ketë një bashkëpunim për zgjedhjet e 14 majit.

Sipas tij, Berisha nuk është zgjidhje, por ama nuk ka zgjidhje pa Berishën duke shtuar se asnjë palë nuk ka luksin për të përjashtuar tjetrin.

Baçi: Alibeaj nuk është se ka marrë një refuzim kategorik për bashkëpunim, përpos një nxitimi që pati Paloka duke thënë se bashkëpunim me Alibeajn është një bashkëpunim me Ramën. Nëse palët duan që të bëhen bashkë kundër Ramës, atëherë rrugët nuk janë ezauruar. Ka ende mundësi, pasi Alibeaj nuk ka nxjerrë akoma kandidatë në shumicë e qyteteve. Arsyet që i ndajnë sot janë shumë më të vogla se sa përballja me Ramën.

E kuptoj që Berisha dhe vetëm ai është PD-ja. Nuk besoj se Berisha do të nxitojë që të përjashtojë këtë grup që drejton faktikisht PD-në. Nëse në vitin 2005 është ulur në tavolinë me njerëz që i dukeshin kilometra larg, atëherë nuk e kuptoj se nuk e bën tani. Berisha nuk është zgjidhje, por ama nuk ka zgjidhje pa Berishën. Asnjë palë nuk ka luksin për të përjashtuar tjetrin.