Berisha: Rama mashtronte në parlament, në SHBA çështja McGonigal doli si një nga aferat më të zeza
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka mbledhur sot kandidatët e tij për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 14 maj të dalë nga primaret.
Berisha tha se Skandali Rama-McGonigal dëshmoi në njërën anë armiqësinë e tij të hapur ndaj SHBA, pasi nuk pritej nga kryeministri i Shqipërisë.
Berisha: Skandali Rama-McGonigal dëshmoi në njërën anë armiqësinë e tij të hapur ndaj SHBA. Një vend i cili ka ndihmuar shqiptarët më shumë se çdo vend tjetër, por e vërteta është një vend që nuk mund të priste kurrë një akt të tillë nga një kryeministër i Shqipërisë, por Edi Rama këtë mendësi kishte, këtë trashëgimin ka, dhe krijoi një skandal tronditës për SHBA, për Shqipërinë, për të gjithë Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe vendet e lira që kanë si mburojë sigurie udhëheqjen dhe fuqinë e SHBA.
Përpiqet të mbulojë me retorikë, por pikërisht ditën që mashtronte në Parlament, në Komisionin Juridik të Senatit të SHBA, Afera Rama-McGonigal dilte dy herë si një nga aferat më të zeza. Prokurori i Përgjithshëm i dha përgjigje direkt, se ai që paguan një punonjës të administratës amerikane për shërbime ndaj qeverisë së tij, ai përbën kërcënim për sigurinë e SHBA. Ky nuk ka paguar një punonjës dosido, por ka paguar njeriun më të rëndësinë për sigurinë e SHBA.
E pagoi atë për të shkatërruar opozitën, në mënyrën më anti-kushtetuese, më të paimagjinueshme. Mirëpo, jo vetëm që nuk e shkatërroi dot opozitën, por kjo i dha mundësi, ose bëri që opozita të ri-organizohet si një forcë politike më e lirë se kurrë në ekzistencën e saj. Si një forcë politike e cila vendosi standardet më të mira të lirisë brenda saj. Dëshmia më e shkëlqyer e kësaj përpjekje jeni ju.

