Berisha: Do e çojmë në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit. Do kërkojmë largimin nga çështja të Sadushit

Sali Berisha deklaroi se për vendimin e së premtes të Gjykatës së Apelit të Tiranës, do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, dhe qëllimi, tha ai, është që të dërgojmë çështjen në gjykatë ndërkombëtare.

“Vendimi i Edi Ramës për të prishur vendimin e Gjykatës së Faktit, që u firmos nga 3 gjykatës të marrë peng, do hyjë në analet e drejtësisë shqiptare dhe botërore, si njolla më e zezë e turpit. Se shkeli një parim nga Roma e lashtë gjer më sot, se në një proces nuk mund të jetë kurrë palë ai që nuk ka qenë palë.

Ky është rasti i parë në historinë e botës. Por palë ishte Edi Rama. Pala e vërtetë ishte Edi Rama. Për të mos i lënë një turp historik, vetes, edhe avokati tha se nuk jemi palë. Nuk kishte rëndësi, sepse ata kishin firmosur vendimin para se të hapej procesi. Ndaj dhe mbi të gjithë qëndrimet e PD-së, do të diskutojmë gjerësisht në këtë mbledhje, do diskutojmë në forumet e saj. Por duhet t’u njoftoj se vendimi në tërësi i juristëve është që ky akt, ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë.

E them unë, që njerëzit mund të habiten se si ta dërgojmë ne te Sadushët. Ne do e dërgojmë në Gjykatën e Lartë. Do kërkojmë përjashtimin e Sadushit nga gjykimi. Nuk presim asgjë tjetër, se urdhri është po ky, por ne do ndjekim procedurën në gjykatën ndërkombëtare. Sepse ka ndodhur një gjë që në një vend anëtar të Këshillit të Europës, në një vend të lirë në botë, nuk ndodh që të shpallet palë ajo që nuk është palë. Rregulli për ta dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen, kërkon që të ezaurohen shkallët e gjykatave të vendit”, deklaroi Sali Berisha.

Berisha theksoi ambasadorja amerikane e ka me shkrim, që do shkatërrohet PD-ja, por tha ai, ajo donte të mbante Bashën e financuar nga rusët në krye të PD-së.

“Ne jemi mbledhur këtu për të diskutuar për situatën e krijuar. Sot pasdite mblidhet grupi parlamentar. Nesër do mblidhen kandidatët dhe në darkë Këshilli Kombëtar. Vendimet janë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Cilat do jenë qëndrimet tona para këtij akti të turpshëm. Akt ekstrem armiqësor ndaj nesh. Nga një mafie që nuk ka asnjë parim. Që nuk respekton asnjë ligj.

McGonigalët dhe Edi Rama, me kombinacionet e tyre morën peng Lulzim Bashën. A është vetëm kjo? Jo. E ka me shkrim guvernatorja: Që do shkatërrohet PD-ja. Kur ajo bënte presione të jashtëzakonshme për të realizuar qëllimet, shkatërrimin e opozitës. Qëllimi i saj ishte të mbante Lulzim Bashën, njeriun e financuar nga rusët, në krye të PD-së. Ky ishte qëllimi! Dhe vazhdohet më tej, haptas deklaroi se nuk ka rëndësi kush voton dhe si voton, ka rëndësi kë emëron ajo kryetar. Pasi iku Lul Brava, u përqendrua te AliBasha. I cili ju siguroj se pas ditës se djeshme, nuk ka as 10 vetë pas vetes”, deklaroi Berisha.

Berisha u bëri thirrje demokratëve që të distancohen nga pengjet e Ramës, “Brava-AliBasha”, siç i cilësoi ai.

“Unë jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë demokratëve, edhe ndonjërit që ka qëndruar indiferent, të distancohet nga ky peng i shpifur, nga këta pengje të shpifur, që kanë shënuar rekordet më të ulëta të politikanit: Brava-Alibasha. Sot është koha që demokratët të bashkohen, të gjithë ata që kanë karakter, që nuk duhet të ndjehen të keqpërdorur nga Brava-Alibasha, vegla të shpifura të Edi Ramës. Është koha që çdo deputet të mbajë qëndrimet e tij në përputhje me interesat e qytetarëve që e kanë votuar. Të ngrihen mbi çdo interes tjetër.

Ju garantoj se ne jemi sot më të fortë se kurrë dhe nesër do jemi më të fortë se sot. Koha faktoi se ne nxorëm në pah fytyrën e shëmtuar të mafies, rast unik në histori. Ka ndodhur që janë bërë përpjekje për të rrëzuar një qeveri, por nuk kam dëgjuar që janë bërë përpjekje për të shkatërruar një opozitë demokratike properëndimore. Dhe të kenë dështuar më radhë të gjitha përpjekjet. Përse dështuan? Sepse forca e kësaj partie janë idealet. Demokratët duhet të ndjehen krenarë, luanë. Kjo tregon se çfarë kanë arritur ata në këtë proces. Asgjë nuk mund të mposhtë shumicën e kësaj force. Kjo shumicë, çdo ditë e më e madhe do bëhet”, tha Berisha.

Berisha u shpreh i bindur se SHBA nuk korruptohen, por korruptohet McGonigali, dhe si të ngjashmit e tij.

“Përsëri kthehem te një moment. Nëse PD ka mbajtur qëndrimet e duhura ndaj McGonigal dhe McGonigalit me fustan, asgjë nuk mund të nxisë te ne, nuk mund të rezonojë ndjenjat tona pro-amerikane, admirimin që kemi ne për vendin e madh të lirisë, partnerit kryesor. Edi Rama e merr si mburojë Amerikën për të fshehur korruptimin që i bëri McGonigal në aktin më të pabesë, më të turpshëm, në një akt urrejtje ndaj SHBA.

Thotë se SHBA nuk mund të korruptohen. SHBA nuk korruptohen, por korruptohet McGonigali nga kryekorruptori i Shqipërisë dhe rajonit. Korruptohet guvernatorja, nuk përfaqëson ajo diplomacinë amerikane, që është diplomacia lider. Asnjë lloj insinuate nuk mund të ketë. Ne do bëjmë gjithçka, të komunikojmë, të paraqesim të vërtetat tona në administratën e SHBA, Kongresin e SHBA. Sikundër ne do mbrojmë të drejtën, demokracinë në mënyrën më absolute në vendin tonë”, tha ai.

Në mbyllje të fjalës së tij para mediave, Berisha iu bëri edhe njëherë thirrje demokratëve të qëndrojnë në lartësinë e guximit të tyre.

“Edhe njëherë, u bëj thirrje demokratëve të qëndrojnë në lartësinë e guximit të tyre. Kjo që ndodhi është dëshmi e tmerrit gjeri në palcë që i ka hyrë Edi Ramës dhe mafies së lidhur me të. I siguroj se janë të pashpresë. Frikën dhe tmerrin që u keni kallur ju, gjatë këtyre muajve, ata e përjetojnë me drithërime. E përjetojnë të sfazuar. Por edhe më shumë do të shohin në javët dhe muajt që vijnë.

Disfata i pret! Mirënjohje të pakufishme ndaj atyre që e ngritën PD-në në këmbë dhe i dhanë këtë shpirt luftarak dhe të pamposhtur që do të shpëtojë demokracinë. Falënderim për ata dhjetëra mijëra qytetarë që mbushën dje sheshin si kurrë ndonjëherë në histori në një ditë pune. Një protestë si ajo nuk është parë”, deklaroi Sali Berisha.