Alda Klosi përballë sanitares/ Kontradiktat për 500 mijë €, ballafazohen dy të dyshuarat
Shuma prej 500 mijë eurosh e vjedhur nga sanitarja e ish zyrtarëve ka vënë sërish përballë alda klosin me Rozeta Dobin. Prokuroria ballafaqoi thëniet e tyre me qëllimin për të zbardhur të vërtetën pasi pastruesja thotë se 500 mijë euro janë marrë nga banesat e ish-zyrtares, por kjo e fundit e mohon këtë fakt.
Ish-zyrtarja e ministrisë së financave alda klosi është përballur sërish me sanitaren Rozeta Dobi në lidhje me kontradiktat në deklarimet e tyre për vjedhjen e 500 mijë eurove.
Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje njëherësh Alda Klosin dhe sanitaren, Rozeta Dobi në përpjekje për të mësuar të vërtetën mes dy versioneve të ndryshmje që ato japin. Ballafaqimi vjen pas dëshmive kontradiktore të dhëna prej Alda Klosit dhe Rozeta Dobit, veç e veç, dhe thënieve të vëllait të ish-zyrtares së lartë për shumën e 120 mijë eurove.
Më 7 janar 2023, rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi ranë në pranga me akuzën e vjedhjes, pas denoncimit të Alda Klosit.
Ata u përgjuan në ambientet e policisë ku flisnin për shumën mbi 400 mijë euro të fshehur në tubin e aspirimit në shtëpinë e tyre. Shuma në u gjet në banesën e sanitares ndërkohë që një pjesë tjetër të parave, ajo dhe djali i saj i kishin shpenzuar për blerje të ndryshme përfshirë edhe dy automjete të cilat i riu i ekspozonte në rrjetet sociale.
Vlera totale e vjedhur në vlerën e rreth 500 mijë eurove u bë shkak për nisjen e hetimit për burimin e këtyre parave. Në dëshminë e saj Rozeta Dobi ka pretenduar se gjithë shumën e ka marrë nga tri banesat e Alda Klosit por ish-zyrtarja ka hedhur poshtë një pretendim të tillë.
Ajo ka pretenduar se sanitarja ka marrë në banesën e saj vetëm 120 mijë euro të cilat i përkisnin të afërmve dhe xhaxhait. Kontradiktat në dëshmi dhe pamundësia për të justifikuar shumat monetare të vjedhura, u bënë shkak për arrestimin e Alda Klosit rreth një muaj më parë më 3 shkurt me akuzën e dëshmisë së rreme dhe pastrimit të parave.