GJKKO rikthen në qeli Fatos Tushen, ish-kryebashkiaku dënohet me 3.4 vite burg
Gjykata e Apelit të Posaçëm urdhëroi rikthimin në qeli të ish-kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe një muaj pas lirimit të tij nga qelia. Shkak është bërë vendimi I gjykatës së shkallës së dytë e cila ka vendosur një shtesë dënimi ndaj ish-zyrtarit prej 12 muajsh të cilën ai tashmë duhet ta vuajë për shkak të akuzës së abuzimit me tenderat
Përballja e ish-kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe me drejtësinë ka marrë një kthesë të papritur pasi Gjykata e Apelit ka anuluar lirimin e ish zyrtarit nga qelia.
Shkalla e dytë e Gjykatës së Posaçme vendosi dënimin e Tushes me 5 vjet heqje lirie, që me gjykim të shkurtuar llogaritet në 3 vite e 4 muaj burg.
Me këtë vendim, Fatos Tushe duhet të rikthehet në qeli pasi u la i lirë në përllogaritje të kohës së dënimit me 2 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga shkalla e parë.
Në vlerësimin e mëparshëm të gjykatës, Fatos Tushe e kishte kryer dënimin dhe u lirua në 26 janar të këtij viti, por tashmë duhet të rikthehet në burg, për të vuajtur dënimin shtesë me 12 muaj të dhënë ndaj tij.
Në vendimin e gjykatës së apelit të posaçëm përcaktohet edhe konfiskimi dhe kalimi në pronësi të shtetit i shumave monetare të gjetura në shtëpitë e të pandehurve Fatos Tushe, Flamur Peqini, Gentian Nushi dhe Ilva Billo.
Ata akuzuan nga spak për abuzime me tenderat e bashkisë së Lushnjes duke kryer veprime korruptive me pasojë dëm ekonomik në arkën e shtetit. Ish-kryebashkuaku i Lushnjes Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik 2021, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Abuzimi sipas prokurorisë ka ndodhur në një tender me vlerë rreth 24 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.
Tenderi është fituar nga kompania EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet, fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami.
Ky i fundit, kishte lidhje të ngushtë me Fatos Tushen, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Murati, të cilët dyshohet se kanë ndarë së bashku fitimet e paligjshme.
Vendimi
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 47, datë 29.07.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me ndryshimet si më poshtë vijon:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 47, datë 29.07.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar me ndryshimet si më poshtë vijon:
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit z. F.T. për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në bashkëpunim, sipas nenit 258 dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim.
3. Në bazë dhe për zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, pas bashkimit të dënimeve, caktimin si një dënim të vetëm për të pandehurin z. F.T. të masës 5 vjet burgim.
4. Në bazë dhe për zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, pas zbritjes me 1/3 e dënimit, caktimin si dënim përfundimtar ndaj të pandehurit z. Fatos Tushe të masës 3 vjet dhe 4 muaj burgim.
5. Në bazë dhe për zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës znj. B.T. në provë për një periudhë të barabartë me dyfishin e kohës së mbetur të pavuajtur nga dënimi përfundimtar me burgim, me kushtin që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
6. Detyrimin e të pandehurës znj. B.T. të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës.
7. Në bazë dhe për zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurit z. B.M. në provë për një periudhë 3 vjet, me kushtin që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
8. Detyrimin e të pandehurit z. B.M. të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës.
9. Në bazë dhe për zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës znj. L.A. në provë për një periudhë 1 vit dhe 4 muaj, me kushtin që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
10. Detyrimin e të pandehurës znj. L.A. të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës.
11. Në bazë dhe për zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës znj. I.B. në provë për një periudhë 2 vjet, me kushtin që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
12. Detyrimin e të pandehurës znj. I.B. të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës.
13. Në bazë dhe për zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës znj. V.Zh. në provë për një periudhë 1 vit dhe 4 muaj, me kushtin që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
14. Detyrimin e të pandehurës znj. V.Zh. të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës.
15. Shumat monetare të sekuestruara të pandehurve z. F.P., z. G.N., z. F.T. dhe z. I.L.të konfiskohen dhe të kalohen në favor të shtetit, sipas nenit 36 të Kodit Penal.