Varrezat dardane në Shkup, historiani: Kërkimet vazhdojnë, nëse ka zbulime me vlerë pronarit mund ti merret parcela

Zbulimi i një pllake antike pranë zonës së varrezave të vjetra në Karposh të Shkupit, mbi të cilat ndër të tjera dallohet emri Dardani ka ngjallur debat.

Zona e zbulimit, ku aktualisht po bëhen ndërtime, konsiderohet si arkeologjike, ndaj studiuesit e institucionet kanë pasur reagime të forta për ndërprerjen e punimeve dhe konservimin e artefaktit.

Myzafer Bislimi, historian, përcolli detajet nga Maqedonia e Veriut.

"Të gjithë e dimë se Shkupi ka qenë kryeqendër e fisit ilir, dardanëve. Gjetja arkeologjike është në zonën që është afër me lokalitetin arkeologjik Skupi. Janë bërë shumë ndërtime, nuk dimë çfarë është gjetur në të kaluarën. Sipas ligjit duhet të konservohen dhe dërgohen në lokalitetin e Skupit ku ruhen artefaktet. Ajo është pronë private por ditën e parë që kanë filluar ndërtimet janë gjetur këto fakte arkeologjike. Kur janë gjetur artefaktet, ndërtimet janë ndërprerë. Për momentin aty kryhen hulumtime arkeologjike. Nëse gjenden artefakte, bazilikë, diçka me rëndësi, ndërtimet duhen ndërprerë dhe pronarit të parcelës mund ti merret kjo pjesë e tokës dhe të shpallet lokalitet i mbrojtur arkeologjik" tha ai për "Ora e Betit".