Ndahen çmimet SAG, triumfon aventura fantastiko-shkencore “Everything, everywhere…”
“Everything Everywhere All At Once” ka çimentuar vendin e tij, si kandidati favorit për filmin më të mirë në çmimet “Oscars” që priten më 12 mars. Aventura fantastiko-shkencore rrëmbeu për herë të parë 4 trofetë kryesore të çmimeve SAG.
Aventura fantastiko shkencore “Everything Everywhere All At Once” ka triumfuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Screen Actors Guild”, në Los Anxhelos duke rrëmbyer plot katër statuja. Ko është e para herë që katër çmime SAG fitohen nga një film i vetëm.
Protagonistja Michelle Yeoh u shpall “aktorja më e mire”, duke lënë pas Cate Blanchett.
"Kjo nuk është vetëm për mua, është për çdo vajzë të vogël që duket si unë," tha Yeoh në fjalimin e saj emocional të pranimit.
"Ne jemi këtu sepse e duam atë që bëjmë", shtoi ajo.
Partneri i saj në film Ke Huy Quan u bë aktori i parë aziatik që vlerësohet për rolin dytësor në film, ndërsa Jamie Lee Curtis triumfoi në kategorinë e aktores më të mirë në një rol joprotagonist.
“Everything Everywhere All At Once” rrëfen aventurat e një pronareje lavanderie, e interpretuar nga Yeoh, e cila duhet të përdorë versione të ndryshme të saj nga multiversi në mënyrë që të shpëtojë botën.
Fitorja e aventurës fantastiko-shkencore e rendit atë si kandidat kryesor për të fituar filmin më të mirë në çmimet “Oscars” që do të mbahen më 12 mars.
Aktori veteran James Hong, 94 vjeç, i cili luan babanë e Yeoh, mbajti një fjalim komik pranimi, në të cilin u zotua të kthehej në ceremoni kur të ishte 100 vjeç.
Jashtë këtij kasti, aktori Brendan Fraser u vlerësua “aktori më i mire” për performancën e tij në “The Whale”.
