Vuçiç: Po shtiren të befasuar nga propozimi evropian, por unë personalisht ua lexova atë në Kuvend


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se të gjithë në Serbi “janë befasuar nga përmbajtja e propozimit evropian”, ndonëse thotë se ai këtë ua ka prezantuar deputetëve dhe opinionit në seancën e Kuvendit të Serbisë.

“Unë personalisht i kam lexuar të gjitha këto në Kuvendin e Serbisë, veçanërisht pikat e vështira. Tash bëjnë sikur kanë fjetur apo nuk kanë dëgjuar. Sonte do të flas për çdo gjë në detaje, sepse kurrë nuk kam fshehur asgjë nga populli, e me atë që është publikuar mund ta shihni se asnjë shkronjë nuk kam thënë ndryshe në Asamblenë Kombëtare dhe nuk kam fshehur asgjë. Dhe ata në BE e dinë shumë mirë se çfarë i kam thënë Macronit dhe Scholzit dhe çfarë i kam thënë zonjës Meloni dhe çfarë i thash secilit prej miqve tanë evropianë”, tha Vuçiç.

Vuçiç ka thënë se Serbia e sheh ndryshe çështjen e Kosovës nga 22 shtete anëtare të BE-së që e kanë pranuar Kosovën.