Elly Ssclein e para grua që do të drejtojë Partinë Demorkatike Italiane
Pas një kryeministre grua, Italia ka sot dhe në krahun opozitar një lider grua mjaft të re në moshë, 38 vjece.
Janë zhvilluar këtë të djelë primaret e Partisë Demokratike Italiane, forca politike më e madhe e së majtës italiane që para qeverisë Meloni ka qeverisur vendin për më shumë se një dekadë.
Fituese e tyre me mbi 53.8% të votave u shpall demokratja Elly Schlein, e cila mundi kandidatin tjetër Stefano Bonaccini.
Pas humbjes në zgjedhjet politike të 25 shtatorit 2022, kreu i Partisë Demokratike, ish kryeministri Enrico Letta ka dhënë dorëheqjen duke i hapur rrugën kështu nisjes së procesit të primareve brenda kësaj force politike.
Më 4 dhjetor 2022, Elly Schlein deklaroi kandidaturën e saj.
Liderja e re opozitare ka një karrierë të pasur politike.
Më 2008 merr pjesë si vullnetare në mbështetje të fushatës elektorale të Presidentit Barac Obama në SHBA e më 2012 bëhet pjesë e mbështetësve të tij në rizgjedhjen e votës presidenciale.
Më 2011 themeloi në Bologna lëvizjen studentore mbi sensibilizimin e politikës në cështjet e emigracionit duke krijuar dhe revistën ProMiGrè,.
Më maj të 2014 zgjidhet europarlamentare për Partinë Demokratike e një vit më vonë pas marrjes së drejtimit të kësaj Partie nga ish Kryeministri Mattteo Renzi, deklaron largimin e saj duke akuzuar se ai ka braktisur idealet e së majtës me një linjë politike të qëndrës së djathtë.
Më 11 shkurt 2020 zgjidhet zvendës guvernatore e rajonit të Emilia Romagna, ku kandidon në një listë forcash aleate të së majtës italiane e merr numrin më të madh në historinë e këtij rajoni në preferencën e votave personale si kandidate.
Në zgjedhjet politike të 25 shtatorit 2022 ishte e para në listën e Partisë Demokratike në rajonin e Emilia Romagnas e është deputete e kësaj legjislature të re.
Primaret e 26 shkurtit 2023 e shpallin Elly Schlein dhe lider të re të Partisë Demokratike.
"Populli demokratik është gjallë, e është gati të ringrihet me një linëj të qartë", janë fjalët e saj menjëherë pas të dhënave të qarta të votës së primareve ku morën pjesë rreth 1 milionë italianë.