Muzeu nëntokësor i Amsterdamit, 10 mijë artefakte u zbuluan gjatë gërmimeve për linjën e metrosë

Artefakte të çmuara janë gjendur nën arkitekturën shekullore të Amsterdamit. Bëhet fjalë për 10 mijë objekte mes tyre edhe predha që datojnë mbi 115,000 vjet më parë.

Arkitektura shekullore e Amsterdamit mbante të fshehur një thesar. Gjatë gërmimeve 15-vjeçare për të ndërtuar linjën e metrosë Veri-Jug, inxhinierët zbuluan një sistem treni nëntokësor  dhe një muze me plot 10,000 artefakte.

Arkeologët gërmuan nëpër baltën e zhvendosur gjatë projektit dhe gjetën një mori objektesh, duke përfshirë predha 115,000-vjeçare, relike mesjetare dhe madje edhe telefona celularë të vjetër.

"Masa e madhe e materialit që zbuluam gjatë ndërtimit të linjës Veri-Jug ishte e jashtëzakonshme," thotë Peter Kranendonk, një nga dy arkeologët që drejtojnë gërmimet gjatë projektit të metrosë.

“Ndërtimi na dha një mundësi unike për të gërmuar nën qytet deri në një thellësi prej 30 metrash,” shton ai.

Vizitorët mund të shohin artikujt e ekspozuar në stacionin Rokin, ku u gjetën shumë prej objekteve që zbulojnë të kaluarën e Amsterdamit.

"Disa objekte, si monedhat 500-vjeçare, kanë një histori të drejtpërdrejtë pas tyre," thotë Kranendonk. “Në bazë të gjetjeve, mund të themi diçka edhe për përdorimin e një zone,” shton ai.

Stacioni, që ia vlen të vizitohet në vetvete, është një testament jo vetëm për trashëgiminë e pasur mbi të cilën është ndërtuar Amsterdami, por edhe për inxhinierët dhe arkeologët që punuan aq shumë për ta ruajtur atë.