1 vit nën armë/ Ukrainasja tregon përjetimet e saj përgjatë një viti luftimesh: Familja ime është ende atje

Anastasia Shymysht, 26 vjeçarja nga Zaborizhija e Ukrainës, e la vendin e saj pasi nisi lufta e prej muajit maj jeton në Shqipëri.

Babai i saj është në front, nëna dhe i vëllai në shtëpi në zonën shënjestër të bombardimeve ruse. Anastasia ndan me ne momentet e sulmit.

"Më kujtohet ai mëngjes unë isha në shtëpi, ishte ende errësirë. U zgjuam të tmerruar, për një moment mendova se ishte një stuhi. Më tepër sesa e frikshme sepse nuk e dinim nëse do zgjoheshim mëngjesin tjetër. Ditët e para u strehuam nën tokë, dhe për tre ditë kemi pritur në rradhe për tu larguar me tren ose me autobuza, pasi aeroportet ishin të parat që u morën nga rusët," tha ajo.

Lufta është e pamëshirshme, sidomos ndaj më të dobtëve. Anastasia rrëfen se civilë, fëmijë dhe gra u vranë, e madje u përdhunuan.

"Shumë njerëz janë vrarë, shumë fëmijë. Ato madje jane përdhunuar, edhe në sy të prindërve ose gra në sy të fëmijëve. Rusët synonin të merrnin kievin dhe gjate asaj kohe nuk kursyen askënd, neper rruge kishte trupa te vdekur," tha ajo.

Nëna dhe vëllai i saj nuk pranuan të braktisin shtëpinë. Por, meraku i Anastasias është i ati në luftë. Me të flet rrallë.

"Ishte muaji prill kur vendosëm të largoheshim me familjen, me vëllain dhe mamin, pasi babi qëndroi në luftë. Mami dhe vëllai u kthyen në Ukrainë, pasi është e vështirë përshtatja në një vend tjetër, me një stil tjetër jetese. Por mërzitem për babin. Ai po lufton atje, ndaj dhe çdo ditë unë lutem për të dhe të gjithë që po e mbrojnë atdheun," tha ajo.

Anastasia ndihet mirë mes shqiptarëve dhe pse shpirtin e ka në vendlindje.

"Nuk kam asnjë plan, pasi planet e mija u shkatërruan pas nisjes së luftës. Do qëndoj këtu. Kam vetëm 1 dëshirë, që lufta të mbarojë sa më shpejt, Ukraina të fitojë dhe unë të kthehem në shtëpi," tha ajo.

1 vit nën armë/ Ukrainasja tregon përjetimet e saj