Çmimet ulën borxhin, ministria e Financave: Në 2022, u reduktua me 36 milionë euro
Borxhi Publik në Shqipëri u ul me 36 milionë euro gjatë vitit 2022, duke shkuar 12 miliardë euro. Çmimet e larta, rritën të ardhurat në buxhet me rreth 13% në krahasim me vitin paraardhës.
Rritja e çmimeve ka bërë që borxhi publik gjatë vitit 2022 të ulet.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin e kaluar borxhi që qeveria ka marrë për të kryer shpenzime shtesë që nuk arrijnë të mbulohen nga të ardhurat buxhetore arriti në 12 miliardë eurove me një ulje prej 36 milionë euro në krahasim me vitin 2021.
Gjithsesi vendi ynë ka një nivel të lartë të borxhit që vlerësohet në 67% të PBB ose 11.7 miliardë euro dhe shpenzimet buxhetore për shlyerjen e borxhit zënë një vend kryesor në shpenzimet buxhetore.
Sipas FMN-së, vendet me të ardhura të mesme si Shqipëria duhet të kenë një nivel borxhi rreth 45% të PBB-së.
Borxhi në raport me prodhimin e brendshëm bruto ka shënuar luhatje nga viti në vit, por nuk ka qenë e zakonshme që të ulej në vlerë.
Efekte pozitive në uljen e borxhit publik ka dhënë edhe niveli i inflacionit. Si pasojë e rritjes së çmimeve, të ardhurat në buxhet janë rritur me gati 13% në krahasim me vitin 2021.
Ministria e Financave parashikon që trendi rënës i nivelit të borxhit publik të përshpejtohet në vitet e ardhshme duke prekur nivelin 64% në vitin 2026.
